Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ush’tria amerikane shkatërroi sisteme të ar’matimit në Sirinë lindore

Ush’tria amerikane shkatërroi sisteme të ar’matimit në Sirinë lindore

Pentagoni ka bërë të ditur se ushtria amerikane dje kreu një sulm në Sirinë lindore duke shënjestruar disa sisteme armësh që përfshinin raketahedhës të montuar në kamion dhe një tank, transmeton Anadolu.

“Këtë mëngjes, forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së shkatërruan me sukses disa sisteme armësh në afërsi të Lokacionit të Mbështetjes Ushtarake (MSS) ‘Eufrat’ në Siri, ku përfshihen tre raketahedhës të shumëfishtë të montuar në kamion, një tank T-64 dhe mortaja, që përbënin një kërcënim të qartë dhe të pashmangshëm për SHBA-në dhe forcat e koalicionit”, tha zëdhënësi Pat Ryder në një konferencë për media.

Ai shtoi se ky sulm erdhi pas gjuajtjes me raketa dhe mortaja pranë MSS Eufrat, bazë ushtarake në Sirinë lindore.

“Ne jemi ende duke vlerësuar se kush i operon këto armë. Por ne e dimë se ka grupe milicie të mbështetura nga Irani në zonë që kanë kryer sulme ndaj MSS Eufrat në të kaluarën”, tha Ryder.

Ai gjithashtu u shpreh se ka edhe forca ushtarake siriane që veprojnë në zonë.

“Për të qenë të qartë, këto veprime vetëmbrojtëse eliminuan me sukses kërcënimet ndaj personelit amerikan dhe nuk lidhen me ndonjë aktivitet më të gjerë në veriperëndim të Sirisë nga grupe të tjera”, shtoi ai.

Më herët, më 29 nëntor, SHBA kreu një “sulm vetëmbrojtës kundër një objektiv armiqësor”, që sipas autoriteteve amerikane, po përgatitej të sulmonte bazën MSS Eufrat.

Exit mobile version