Ushtarët izraelitë vrasin një 17-vjeçar palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar

Ushtarët izraelitë vranë një palestinez 17-vjeçar në qytetin e pushtuar të Jeninit në Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu.

Ushtria izraelite vazhdon bastisjen e qyteteve dhe qytezave palestineze ditët e fundit për të kapur autorët e sulmeve që vranë 3 kolonë hebrenj në qytetet Khalil (Hebron) dhe Nablus.

Njësitë e ushtrisë izraelite, të mbështetura nga përforcime, kryen bastisje në qytetet e Bregut Perëndimor të Hebron, Nablus, Jenin, Tulkarim dhe Chalkiya.

Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, konfirmohet se 17-vjeçari palestinez Osman Abu Herej u qëllua në kokë gjatë bastisjes së Jeninit nga ushtarët izraelitë.

Ushtria izraelite njoftoi se dy kolonë u vranë në një sulm të armatosur në qytetin Huwwara, afër Nablus, më 19 gusht. Mëngjesin e djeshëm si pasojë e sulmit në Hebron ka mbetur i vrarë një kolon dhe një tjetër është plagosur rëndë.

Ushtria izraelite, e cila bastisi qytetet dhe qytezat palestineze për të kapur autorët e sulmeve, plagosi dje me plumba të vërtetë 8 palestinezë.