Ushtarët izraelitë ushtrojnë dhunë ndaj 2 fëmijëve palestinezë në arrest

Komiteti i të Burgosurve Palestinezë njoftoi se dy fëmijë palestinezë 15-vjeçarë iu nënshtruan dhunës së rëndë nga ushtarët izraelitë gjatë marrjes në pyetje në arrest, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga komiteti, i cili vepron në kuadër të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), thuhet se 15-vjeçarët Mohamed Diriye dhe Ammar Sevabite, të cilët u arrestuan nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor të okupuar, iu nënshtruan dhunës gjatë marrjes në pyetje.

Në deklaratë thuhet se Diriye, banor i qytezës Beit Fajjar të Betlehemit, është rrahur nga ushtarët izraelitë para se të ndalohej natën dhe më pas është tërhequr zvarrë, është futur në një automjet ushtarak dhe dërguar në një qendër të marrjes në pyetje në vendbanimin kolon hebre Kiryat Erbaa.

Diriye është mbajtur brenda natës në një qendër marrjes në pyetje në vendbanimin kolon hebre Gush Etzion më vonë, kurse më pas është transferuar në burgun në Megiddo afër Nablusit dhe ende po mbahet i burgosur.

Ndërkaq, palestinezi tjetër Sevabite është arrestuar gjithashtu në një bastisje në kohën e agimit në shtëpinë e tij në Beit Fajjar më 17 maj, ndërsa edhe ai është rrahur para familjes së tij para se të arrestohej.

Në deklaratë u theksua se Sevabite ishte marrë në pyetje në një karrige të vogël me duar të lidhura për tri orë në një qendër të marrjes në pyetje në vendbanimin kolon hebre Gush Etzion dhe i është nënshtruar dhunës.

Sipas deklaratës, Sevabite ende po mbahet në burgun në Megiddo.

Sipas Komitetit të të Burgosurve Palestinezë, në burgun në Megiddo gjenden 50 fëmijë palestinezë.

Gjithsej, në burgjet izraelite gjenden 4.700 të burgosur palestinezë, prej të cilëve 365 nën masën e burgimit administrativ, 160 fëmijë dhe 41 gra.