Ush’tarët iz’raelitë të akuzuar për ab’uzim seksual dënohen me arrest shtëpiak

Një gjykatë ushtarake izraelite urdhëroi të martën lirimin e pesë ushtarëve izraelitë të akuzuar për abuzim seksual me një të burgosur palestinez në arrest shtëpiak në pritje të hetimeve, sipas mediave lokale.

Ushtarët do të qëndrojnë në arrest shtëpiak për 10 ditë deri më 22 gusht, sipas një marrëveshjeje ndërmjet prokurorisë ushtarake dhe ekipit mbrojtës të ushtarëve, shkruan gazeta Haaretz.

Muajin e kaluar, dhjetë ushtarë izraelitë u arrestuan për sulme seksuale ndaj një të burgosuri nga Gaza në burgun famëkeq Sde Teiman në Izraelin jugor, por pesë prej tyre u liruan më vonë.

Pas arrestimit të tyre më 29 korrik, protestuesit izraelitë të krahut të djathtë, përfshirë politikanë, hynë në dy baza ushtarake në Izraelin jugor dhe qendror për të protestuar kundër arrestimit të tyre.

Raportet palestineze, izraelite dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë treguar së fundmi se të burgosurit nga Gaza janë torturuar në burg, gjë që ka çuar në vdekjen e dhjetëra prej tyre.

Gjykata e Lartë izraelite po shqyrton një peticion të paraqitur nga organizatat lokale të të drejtave të njeriut për mbylljen e burgut famëkeq, ku edhe të burgosurit palestinezë kanë pësuar neglizhencë mjekësore.