Ushtarët izraelitë hapin zjarr ndaj pjesëmarrësve në protestën kundër pushtimit në Quneitra të Sirisë

Të paktën 3 persona u plagosën si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtria izraelite ndaj civilëve që protestuan kundër pushtimit të fshatit Suveyse në qytetin Quneitra të Sirisë, transmeton Anadolu.

Izraeli teksa rrit sulmet e tij ajrore kundër Sirisë pas rrëzimit të regjimit Baath në këtë vend, gjithashtu ka zgjeruar edhe pushtimin e tij nga toka.

Banorët e fshatit Suveyse në qytetin Quneitra në jugperëndim të vendit, zhvilluan protestë kundër pushtimit të territoreve të vendit të tyre nga Izraeli.

Ushtarët izraelitë gjatë protestës hapën zjarr mbi turmën nga zonat ku ata ishin pozicionuar. Në sulmin e ushtrisë izraelite u plagosën 3 civilë.

– Sulmet dhe pushtimi i Izraelit ndaj Sirisë

Regjimi i partisë Baath në Siri u rrëzua pasi humbi plotësisht kontrollin në Damask dhe shumë rajone të tjera edhe me mbështetjen masive të popullit për grupet që filluan të hyjnë në kryeqytetin Damask më 7 dhjetor.

Ushtria izraelite filloi të shkatërrojë infrastrukturën dhe objektet ushtarake të mbetura nga ushtria e regjimit ndërsa zgjeroi pushtimin e saj në Lartësirat e Golanit në Siri.

Duke hyrë në zonën tampon përreth Lartësirave të Golanit dhe duke avancuar edhe më tej pushtimin e saj, ushtria izraelite është futur deri në rreth 25 kilometra afër Damaskut.

Izraeli mban nën pushtim Lartësitë e Golanit të Sirisë që nga viti 1967. Kufijtë e zonës tampon dhe zonës së demilitarizuar u përcaktuan me Marrëveshjen e Ndarjes së Forcave të nënshkruar midis Izraelit dhe Sirisë në vitin 1974.