Ushtarët izraelitë arrestuan të paktën 18 palestinezë, përfshirë 2 fëmijë, gjatë bastisjeve në qytete të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë dhe Delegacioni për të Burgosurit dhe të Liruarit, të lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës, thuhet se ushtarët izraelitë kanë vazhduar bastisjet ndaj shtëpive të palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Në deklaratë theksohet se ushtria izraelite që nga mbrëmë e deri më tani ka kryer bastisje në qytetet Ramallah, Betlehem, Qalqilya, Nablus, El Khalil, Jenin dhe Kuds.
Gjatë bastisjeve, ushtarët izraelitë arrestuan 18 palestinezë, përfshirë 2 fëmijë dhe ish të burgosur.
Gjithashtu u theksua se gjatë bastisjeve, shtëpitë e palestinezëve u shkatërruan dhe se personat e arrestuar dhe familjet e tyre u janë nënshtruar goditjeve dhe kërcënimeve.
Numri i palestinezëve të arrestuar në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim që nga 7 tetori 2023, u rrit në 11.800.
Që nga 7 tetori, kur Izraeli filloi sulmet në Rripin e Gazës ka pasur rritje të arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.
Në sulmet e ushtrisë izraelite dhe izraelitëve që kanë uzurpuar tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor, që nga 7 tetori 2023 e deri më tani kanë humbur jetën 794 palestinezë, përfshirë 167 fëmijë.