Viktimat e para shqiptare në ish Armatën Jugosllave u regjistruan në vitin 1951, ndërsa më së shumti pësuan gjatë vitit 1991 (gjithsej 49 shqiptarë), shumica nga të cilët ishin dërguar nëpër vijat e para të frontit të luftës në Kroaci e Bosnjë. Gjithsej 122 ushtarë shqiptarë u vranë në APJ pas demonstratave të vitit 1981, deri më 1993. U vranë në moshën më të mirë, 18-20 vjeç… Në mesin e tyre ishte edhe Enver S. Elezi (26.04.1964), me origjinë nga Sllatina e Kaçanikut, me vendbanim në Shkup, i cili u vra 40 vjet më parë, derisa po e kryente shërbimin e ushtarak në Divulje.
Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë
Ndarja më dysh e kombit shqiptar nëpër konferenca të padrejta ndërkombëtare hapi plagë të thella në qenien tonë përgjatë gjithë qindvjeçarit të fundit. Tendencat e vazhdueshme armiqësore për vrasjen e idealit të lirisë, gjithmonë u shoqëruan me kundërvënie të ashpër të engjëjve mbrojtës të shqiptarizmës, të cilët u ngritën në përmendore të lavdisë, duke e bartur nga gjenerata në gjeneratë stafetën e gjakosur të rezistencës.
Lëvizja kaçake ndërmjet dy luftërave botërore, Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare dhe, më pas, Lëvizja për Çlirimin dhe Bashkimin me Shqipërinë të viseve shqiptare nën Jugosllavi, ishin forca e madhe e potencialit çlirues të kombit tonë, e cila vetëm se rigjenerohej dhe nuk u shua kurrë.
Shqiptarët e mbetur me pabesi nën shtetin jugosllav, duke mos pasur asgjë të përbashkët me identitetin etnik apo fetar të popujve fqinj, qenë të detyruar të shërbejnë në të ashtuquajturën Armatë Popullore Jugosllave, prej vitit 1945 e deri në shkatërrimin e kësaj krijese artificiale në vitin 1992.
APJ mori 135 jetë ushtarësh shqiptarë
Viktimat e para shqiptare në ish Armatën Jugosllave u regjistruan në vitin 1951, ndërsa më së shumti pësuan gjatë vitit 1991, gjithsej 49 shqiptarë, shumica nga të cilët ishin dërguar nëpër vijat e para të frontit të luftës së armatosur që kishte shpërthyer në Kroaci e Bosnjë. Gjithsej 122 ushtarë shqiptarë u vranë në APJ pas shpërthimit të demonstratave të Kosovës në vitin 1981 e deri në vitin 1993. U vranë në moshën më të mirë, 18-20 vjeç.
Këto të dhëna statistikore dhe faktografike dalin nga libri monografik i autorit Qazim Berisha, “Ushtarët shqiptarë, të vrarë në Armatën Jugosllave” (1951-1993), ku janë evidentuar gjithsej 135 ushtarë shqiptarë që u kthyen në arkivole nga ushtria jugosllave. Për fat të keq, deri më tani nuk ka pasur asnjë hulumtim më serioz nga ana e institucioneve shtetërore apo shkencore për të nxjerrë në pah saktë të vërtetat e atyre humbjeve jo të pakta të jetëve të reja në mënyrë tragjike. Madje për çudi, asnjëherë nuk është kërkuar përgjegjësi në mënyrë institucionale dhe kurrë nuk është ngritur asnjë padi kundër Serbisë, si shkaktarja kryesore e këtyre vrasjeve të orkestruara.
Gati se në të gjitha këto akte kriminale të vrasjes së ushtarëve, raportimi i autoriteteve ushtarake jugosllave ishte se bëhej fjalë për “vetëvrasje” ose, në pak raste, për vrasje incidentale ose edhe aksidentale. Rëndom nuk jepej asnjë ekspertizë ose dëshmi tjetër mjeko-ligjore për rrethanat dhe shkaqet e sakta të vdekjeve. Trupat e të vrarëve silleshin në arkivole të mbyllura hermetikisht dhe të shoqëruar nga oficerë të sigurimit shtetëror. Arkivolet nuk lejoheshin të hapen nga familjarët, gjë që edhe më shumë e shtonte dyshimin.
Shumica absolute e shqiptarëve të vrarë në Armatën Jugosllave ishin nga Kosova, ndërsa 16 prej tyre ishin nga trojet shqiptare të Maqedonisë (së Veriut), si:
– Nexhbedin Osmani nga Tetova,
– Qerim Aliu nga Rahovica në Kumanovë,
– Hasan Sezairi nga Gostivari,
– Enver Elezi nga Kaçaniku në Shkup,
– Murat Isufi nga Haraçina e Shkupit,
– Malik Azizi nga Korita e Gostivarit,
– Enver Hasi nga Poroji i Tetovës,
– Inajet Istrefi nga Veleshta e Strugës (i vetmi vëlla i 6 motrave),
– Mustafë Ramadani nga Bozovca e Tetovës,
– Mursel Xhambazi nga Cërvica e Kërçovës,
– Afrim Zylfiu nga Kumanova,
– Elez Halipi nga Vrapçishti i Gostivarit,
– Taip Aliu nga Forina e Gostivarit,
– Ilaz Fazliu nga Palatica e Tetovës,
– Numan Rexhepi nga Tetova,
– Selajdin Rizvani nga Reçica e Tetovës.
Nëse shihet me kujdes lista e ushtarëve të vrarë, si dhe dokumentet sekrete jugosllave, del se të gjitha viktimat ishin pjesë e një plani të përgatitur mirë! Ishin kryesisht ushtarë që vinin nga familjet atdhetare, pjesëmarrëse në kryengritjet antijugosllave. Si të tillë, ata ndiqeshin hap pas hapi nga sigurimi shtetëror, tentohej të viheshin në lojën e shërbimeve sekrete dhe në momentin kur nuk ia arrinin qëllimit, ata stigmatizoheshin, u vihej zullumi e presioni i paparë dhe fundi i tyre ishte tragjik.
Kështu, për shembull, në dokumentet sekrete jugosllave për lëvizjen ilegale shqiptare, që para pak kohe u botuan nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në analizën e vëllimit të dytë, veç tjerash thuhet se: “Aktiviteti i organizuar ilegal i grupeve armiqësore i përbërë nga ushtarë, madje edhe nga ndonjë epror dhe qytetar që shërbenin në APJ, të kombësisë shqiptare, u shtuan ndjeshëm në periudhën 1981-1984. Në periudhën 1981-1987 në APJ u zbuluan 216 grupe të organizuara ilegale, ku përfshiheshin 1.435 shqiptarë. U konstatua se disa grupe, përveç indoktrinimit, konsolidimit dhe masovizimit të radhëve të tyre, planifikonin, shprehnin gatishmërinë, propagandonin, disa madje përgatitnin veprimet më brutale në njësi, si: vrasjen e eprorëve dhe ushtarëve, helmimin e ushqimit dhe ujit, diversione, sabotime, thyerje të magazinave dhe vjedhjen e armëve, municioneve dhe lëndëve plasëse, arratisje grupore nga njësitë me armë, eksese grupore nacionaliste në njësi, kurse grupet më ekstreme analizonin variante të rebelimit të armatosur dhe të shkuarjes nën armë në Kosovë për t’iu bashkangjitur fazës së armatosur të kundërrevolucionit që ata prisnin.”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument të shërbimit sekret jugosllav, për të arsyetuar të gjitha masat makabre të atij pushteti fashizoid kundër ushtarëve shqiptarë.
Rasti i vrasjes së ushtarit Enver Elezi
Në mesin e këtyre ushtarëve të stigmatizuar që në fillim të shërbimit ushtarak ishte edhe Enver (Selman) Elezi (26.04.1964), me origjinë nga fshati Sllatinë e Kaçanikut, me vendbanim në Shkup, i cili u vra 40 vjet më parë, pikërisht më 4 qershor 1983, derisa po e kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Divulje të Splitit në Kroaci.
Në të vërtetë, familja Elezi shumë herët kishte dhënë prova në rrugën e sakrificës kombëtare. Në odën e saj ishin projektuar plane të shumta të lëvizjes ilegale shqiptare, prandaj edhe Enveri, si djali i parë i familjes, i cili e bartte emrin e udhëheqësit të shtetit shqiptar të kohës, shumë i ri ishte vënë në shërbim të kauzës liridashëse çlirimtare.
Shokët e shkollës së mesme flasin me pietet për zgjuarsinë, fisnikërinë, sinqeritetin dhe frymëzimin që kishte për atdheun dhe lirinë. Atë gjithmonë e brente çështja e pazgjidhur kombëtare dhe sidomos shkelja e të drejtave elementare të shqiptarëve në Jugosllavi. Bashkë me shokët e pandashëm, Ilirin e Avdullaun, e dëgjonin fshehtas Radio Tiranën e Radio Kukësin, frymëzoheshin nga lajmet që vinin nga Shqipëria dhe bënin plane për veprimet e mëvonshme.
Ata, edhe pse shumë të rinj në moshë, në vitin e tretë të shkollës së mesme, derisa ishin në një ekskursion disaditor nëpër Jugosllavi, e kishin në agjendë edhe vizitën te varri i ish diktatorit komunist Josip Broz Tito në Beograd. Enveri, Avdullau dhe Iliri marrin vendim që të mos shkojnë që ta nderojnë njeriun i cili u kishte bërë shumë dëme dhe padrejtësi shqiptarëve, andaj në të njëjtën kohë shmangen nga grupi, për ta ndjekur një ndeshje futbolli aty afër. Natyrisht e mungesa e tyre ishte vërejtur nga arsimtarët, për çka edhe ishin qortuar, por fatmirësisht rasti nuk ishte problematizuar shumë dhe të tre nxënësit kishin shpëtuar pa u ndëshkuar!
Një tjetër element për t’u përmendur nga kujtimet e shokëve të gjeneratës, ku shpërfaqet ndjenja e atdhedashurisë së këtyre të rinjve, ishte festimi i mbrëmjes së maturës, ku Enveri me disa maturantë vishen me ngjyrat e flamurit kuq e zi, për të dërguar mesazhet e qarta të sentimentit të tyre kombëtar.
Thirrja për kryerjen e obligimit ushtarak i kishte ardhur kur Enveri sapo i kishte regjistruar në studimet për gjuhës angleze në Shkup. Kështu ai ishte detyruar të marrë rrugën e kobshme për në ushtri. Pas tetë muajsh shërbim në Divulje të Kroacisë, familjes i kthehet në arkivol!
Ishte kjo një tronditje e madhe për të gjithë familjen, miqtë e shokët!
Megjithëkëtë, familja Elezi asnjëherë nuk u thye dhe nuk e ndali hovin e rrugës drejt lirisë. Sapo erdhi koha, të gjithë vëllezërit u angazhuan me të gjitha mënyrat në shërbim të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, më vonë, të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.
Më 31 maj të vitit 2001, në betejën e njohur të Mateçit, bie dëshmor vëllai i Enverit, Imri Elezi. Ishte kjo goditja e dytë për këtë familje atdhetare, e cila po kthehej në forcë e krenari, bashkë me kujtimin e përjetshëm për dy djemtë dëshmorë.
Lavdi Enverit, Imriut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit! Qofshin nën mëshirën e Zotit! /revistashenja