Ballina Kuzhinë Ushqimet më të mira kundër kolesterolit

Ushqimet më të mira kundër kolesterolit

Stili i jetesës dhe ushqyerjes luajnë një rol të rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të kolesterolit. Nëse vuani nga kolesteroli i lartë atëherë aktiviteti fizik, heqja dorë nga duhani dhe mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të bëjnë një ndryshim domethënës.

Studimet e AgroWeb.org tregojnë se nëse ushqeheni me produkte që janë miqësore me zemrën, atëherë do të ulni natyralisht kolesterolin dhe do të pakësoni rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Vaji i ullirit ekstra i virgjër

Studimet shpjegojnë se vaji i ullirit ekstra i virgjër është i mbushur me acide yndyrore mono-të-pangopura që parandalojnë aterosklerozën dhe ulin nivelet e kolesterolit. Shtoni 10 gramë vaj ulliri ekstra të virgjër në ushqimet tuaja ditore dhe do të ndieni ndryshim. Vajin e ullirit mund ta përdorni në sallata, perime, peshk ose mish pule.

Avokado

Avokadot janë të pasura me acide yndyrore mono-të-pangopura dhe janë një burim i shkëlqyer i një substance bimore të quajtur beta-sitosterol që ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe uljen e niveleve të kolesterolit. Përpiquni të shtoni avokadot në ushqimet tuaja. Me të mund të bëni një supë të shijshme ose sallatë.

Farat e lirit

Farat e lirit janë një burim i pasur me acide yndyrore omega 3, fitoushqyes dhe fibër. Ato ndihmojnë në uljen e rrezikut nga sëmundjet kardiovaskulare dhe të nivelit të kolesterolit. Mënyra më e thjeshtë për të përfshirë farat e linit në ushqimin tuaj është t’i përzieni ato me lëngje me bazë qumështi ose me fruta dhe perime.

Hudhra

Disa studime mbi hudhrën dhe përbërësin e saj aktiv, alicinën, sugjerojnë se konsumi i rregullt ka ndikim domethënës në parandalimin e mpiksjes së gjakut dhe arteriosklerozës. Ndaj nëse konsumoni dy ose tre thelbinj hudhër në ditë do të mund të ekuilibroni nivelet e kolesterolit.

Kakaoja pluhur

Kakaoja pluhur përmban flavanolë të cilët ndihmojnë jashtëzakonisht shëndetin kardiovaskular dhe funksionojnë si antioksidantë. Rrjedhimisht ato ulin nivelet e kolesterolit.

Mënyra më e thjeshtë për të shtuar kakaon në ushqyerjen tuaj ditore është në lëngjet me bazë frutash ose duke zëvëndësuar çokollatën në ëmbëlsirat e pjekura.

Tërshëra

Ulja e kolesterolit mund të jetë një mision shumë i thjeshtë nëse hani tërshërë në mëngjes. Tërshëra përmban një substancë të njohur si beta-glukan që përthith kolesterolin e keq dhe e nxjerr atë nga trupi. Mjaftojnë dy racione me tërshërë dhe kolesteroli i keq mund të ulet me 5% në 5 javë, pa ndikuar në kolesterolin e mirë.

Spinaqi

Perimet si spinaqi janë të pasura me luteinë, një substancë që ndihmon në uljen e rrezikut nga ataku në zemër duke parandaluar mpiksjen e gjakut. Shtoni të paktën 170 gramë spinaq ose barishte të tjera në sallata ose gatime të ndryshme dhe do të ndiheni më mirë.

Arrat

Mos hiqni dorë nga arrat. Studimet më të fundit kanë treguar që arrat munden të ulin kolesterolin e keq me 9 përqind. Kjo vlen nëse konsumoni 42 gramë arra 6 ditë në javë për një muaj.

Exit mobile version