Dashamirësit e ushqimeve të shëndetshme janë gjithnjë në kërkim të mënyrave më të thjeshta dhe praktike të ruajtjes së tyre në frigorifer sa më gjatë dhe sa më sigurt.
Boronicat Dhe Frutat e Pyllit
Frutat e pyllit ku bëjnë pjesë boronicat dhe luleshtrydhet janë plot e për plot me vitamina, minerale, antioksidantë dhe fibër dietike.
Në frigorifer, boronicat mund të qëndrojnë të freskëta për 1 javë, ndërsa luleshtrydhet dhe boronicat e kuqe rezistojnë deri në 5 ditë.
Një mënyrë tjetër e ruajtjes së tyre për një kohë më të gjatë është ajo e ngrirjes.
Lakra, Lulelakra Dhe Barishtet
Lakra, barishtet, brokoli, lulelakrat mund të ruhen në frigorifer për deri 5 ditë.
Barishtet janë disi më delikate dhe ekspertët rekomandojnë që ato të mbështillen me letër kuzhine të thatë.
Kjo do të sigurojë që letra të përthithë lagështinë e barishteve dhe ato të jenë të freskëta sa më gjatë.
Vezët Dhe Produktet e Bulmetit
Vezët e freskëta qëndrojnë në frigorifer për 2-4 javë, ndërsa ato të ziera rezistojnë për deri 7 ditë.
Sekreti qëndron tek vendndodhja.
Vezët nuk duhen vendosur në zonën e derës së frigoriferit që mos të ekspozohen ndaj luhatjeve të temperaturës.
Kosi nga ana tjetër mund të qëndrojë në frigorifer për një muaj.
Djathi kaçkavall kur është i pahapur mund të rezistojë në frigorifer për një muaj, gjiza për një javë ndërsa kremi i djathit për 2 javë.
Arrorët
Arrorët kanë një përmbajtje të lartë yndyre dhe kanë nevojë të ruhen në mënyrën e duhur që të mos bëhen acidike.
Në frigorifer, arrorët qëndrojnë të freskët për gjashtë muaj, ndërsa në ngrirje, ato zgjasin një vit.
Pavarësisht kohës, ekspertët nënvizojnë rëndësinë e sigurisë ushqimore dhe besimit të intuitës.
Nëse një produkt i caktuar ju duket sikur është i prishur apo ka një aromë dhe paraqitje ndryshe, atëherë është më mirë që të mos rrezikoni me shëndetin dhe ta hidhni atë në plehra./AgroWeb.org