Urimi i myftiut Tërnava me rastin e fillimit të Ramazanit (Video)

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava përmes një konference për media iu është drejtuar besimtarëve islam të Kosovës me mesazh urimi me fillimin e muajit të Ramazanit.

Myftiu Tërnava me këtë rast ka folur për të mirat dhe dobitë që sjell muaji i Ramazanit.

“Agjërimi për besimtarët është një ibadet që bartë në vete përkushtimin, vendosmërinë, bindjen, urtësinë, devotshmërinë, sinqeritetin, dashurinë, sakrificën, unitetin, tolerancën e mirëkuptimin, vlera këto që e ekuilibrojnë njeriun, e fisnikërojnë shoqërinë si dhe ndikojnë në reflektimin për hyjnoren, njerëzoren e humanen”, tha myftiu i Kosovës.

Sipas tij agjërimi është ibadet që bartë përkushtim, bindje, devotshmëri, sinqeritet, dashuri, unitet dhe vlera që ekuilibrojnë njeriun.

“Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin besimtarët shtojnë ibadetet, rrisin ndershmërinë, rrisin kujdesin ndaj njëri-tjetrit, bëhen më humanë, më të dashur e më paqësor, më social, më familjar e më të devotshëm. E pikërisht këto janë fadiletet, të mirat, dobitë dhe synimet e agjërimit të këtij muaji”, tha Tërnava.

Muaji i Ramazanit fillon nesër (27 maj) dhe sipas kalendarit janë 29 ditë agjërim.

Dita e Fitër Bajramit është më 25 qershor.

https://vimeo.com/219075743