Urimi i Vitit të Ri Hixhri… Këndvështrim fetar…

hijri

Pyetja: Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Cila është dispozita e urimit me rastin e Vitit të Ri Hixhri (vitit që ka filluar me emigrimin e Profetit Muhamed [a.s] dhe që përllogaritet në bazë të muajve hënor), duke thënë me këtë rast: “Me të mira ardhtë për ju viti i Ri për çdo vit!”, ose duke dërguar një mesazh, në të cilin personi bën lutje që personi të cilit ia dërgon këtë mesazh, të ketë mbarësi dhe bereqet në këtë vit të ri?

Përgjigja nga Muhamed Salih el Munexhid (prej dijetarëve të Arabisë Saudite):

Me emrin e Allahut, falënderojmë Allahun, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të dërguarin e Allahut, kurse më pas:

Urimi i muslimanëve dhe lutja për mbarësi në një rast të tillë si rasti i Vitit të Ri Hixhri, është një çështje për kryerjen e së cilës nuk ka ardhur ndonjë ndalesë nga Profeti [a.s], por nga ana tjetër nuk ka ardhur ndonjë transmetim, se diçka e tillë është sunet (traditë profetike), që jemi të urdhëruar që ta kryejmë.

Gjithsesi nuk ka ndonjë problem që ky urim të bëhet, sepse ai është diçka që fut gëzim tek muslimanët. Sa i përket kthimit të urimit, një gjë e tillë konsiderohet vaxhib (detyrim).

Dijetari i nderuar Muhamed Salih el Munexhid, prej dijetarëve të Mbretërisë së Arabisë Saudite, thotë:

Nuk është problem bërja dua (lutje) për muslimanin në raste si ato të festave, me një lutje jo specifike dhe duke mos pretenduar se një lutje e tillë është adhurim, sidomos kur synimi i këtij urimi është përzemërsia, si dhe shfaqja e gëzimit dhe lumturisë në fytyrën e muslimanit.

Imam Ahmedi [Allahu e mëshiroftë] thotë: “Unë nuk e filloj urimin, por po më uroi dikush i përgjigjem, pasi përgjigja për përshëndetjen është vaxhib (detyrim). Pra nuk është prej traditës së profetit (a.s) q të fillojmë të parët me urimin, por gjithashtu nuk është diçka e ndaluar”.

Kësisoj, festimi në çdo rast feste të mirë është një gjë, për të cilën nuk ka asnjë problem përderisa i përmbahet normave ligjore dhe nuk ka dëm që celebrimet të quhen festa, pasi janë kontekstet që merren në konsideratë e jo emërtimet.

Allahu e di më së miri.

Po kështu përgjigja që d. Selman ibn Fehd el Aude – Kryesupervizori i Faqes “Islami sot”, i ka dhënë pyetjes se: Cila është dispozita për urimin e Vitit të Ri Hixhri?”; është:

Urimi për Vitin e Ri Hixhri është prej gjërave të lejuara (mubah).

Gjëja më e mirë që mund të thuhet, sa i përket të tillë gjëje, është që atij që të uron t’i përgjigjesh me fjalë të mira me të njëjtin karakter me fjalët e përshëndetësit, por nuk bën, që ti ta urosh i pari dikë.

Pikërisht e tillë gjë është transmetuar nga Ahmedi në çështjen e urimit me rastin e festës. Është transmetuar, se Ahmedi iu përgjigj (ia ktheu urimin) uruesit të tij, por nuk filloi i pari.

Lidhur me urimin për festë, unë nuk di të ketë ardhur ndonjë transmetim autentik.

Kolegët tanë të medhhebit (shkollës juridike) Hanbelie kanë thënë, se nuk ka ndonjë problem që personi t’i thotë tjetrit: Allahu e pastë pranuar prej nesh dhe jush!

Pra nuk ka ndonjë problem, që njerëzit ta urojnë njëri-tjetrin në kuadrin e gjërave që janë shprehi midis tyre. Mbi përgjithësinë e legjitimitetit të kësaj që përmendëm më lart, mund të shërbejë si argument sexhdja e falenderimit, legjitimiteti i ngushëllimit dhe përgëzimit që Profeti [a.s] bëri me rastin e ardhjes së Ramazanit [shih transmetimin e publikuar nga Nesaiu (2106)], si dhe përshëndetjen që Talha ibn Ubejdilah i bëri Keab ibn Malikut, në prani të Profetit [a.s], të cilën Profeti [a.s] nuk ia refuzoi [shih transmetimin e Buhariut (4417) dhe Muslimit (2769)].

Ibn Tejmije [Allahu e mëshiroftë] ka thënë: Ka transmetime prej një grupi të sahabeve, se ata e bënin këtë dhe në diçka të tillë kanë toleruar edhe imamllarët si Ahmedi dhe të tjerë veç tij.

Hafizi Ibnul Haxheri ka përmendur, se një gjë e tillë është legjitime dhe mbi këtë gjenden një sërë transmetimesh.

Në lidhje me këtë, Ahmedi është shprehur: “Unë nuk e filloj i pari urimin. Nëse dikush e fillon atë (ma thotë urimin) i pari, atëherë i përgjigjem atij”.

Ai e bënte këtë, ngaqë është detyrim t’i përgjigjesh përshëndetjes që të bëjnë, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kur përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju kthejeni atë me një përshëndetje edhe më të mirë, ose kthejeni po ashtu…” [Nisa: 86].

Allahu i Lartësuar e di më mirë.

Kjo gjë (urimi dhe lutja e lartpërmendur) nuk hyn në kapitullin e bidatit (shpikjes në fe), pasi ajo është prej traditave të mira dhe moraleve fisnike, me të nuk pretendohet adhurimi i pastër (germë për germë).

Allahu e di më së miri.