“Uria në Afganistan mund të shkaktojë më shumë vdekje se lufta e 20 viteve të fundit”

Grupi Ndërkombëtar i Krizave tha se uria e vazhdueshme në Afganistan mund të marrë më shumë jetë sesa lufta e 20 viteve të fundit në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e bërë nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave thuhet se nëse komuniteti ndërkombëtar nuk e mbështet Afganistanin, supozohet që numri i njerëzve që humbin jetën nga uria në vend do të rritet ndjeshëm.

Deklarata thekson se kriza ekonomike në vend gjatë muajve të fundit ka bërë që 1 milion njerëz më shumë të përballen me pasiguri ushqimore, duke shtuar se me afrimin e dimrit uria do të rritet.

Grupi tha se shkak për krizën ekonomike në vend është ndërprerja e ndihmës së huaj për Afganistanin.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave i bëri thirrje botës të angazhohet me talebanët dhe tha se përndryshe, kjo gjendje do të nënkuptonte pranim i pasojave brutale dhe të rrezikshme të urisë, migrimit, kërcënimeve terroriste, trafikut të drogës.

Ndryshe, ndihmës ndërkombëtare në Afganistan iu dha fund pasi talebanët morën pushtetin.

Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Rezerva Federale e SHBA-së gjithashtu ndërprenë aksesin e Afganistanit në fondet ndërkombëtare.

Administrata amerikane po ashtu ngriu rezervat e qeverisë afgane në bankat amerikane.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, vlerësohet se 22,8 milionë njerëz, që përkon me më shumë se gjysmën e popullsisë, do të përballen me mungesa serioze të ushqimit në Afganistan gjatë muajve të dimrit. /aa