OKB – Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtën për Ushqim, Michael Fakhri shkroi analizë për Anadolu (AA) lidhur me përmasat e urisë në Gaza dhe se si Izraeli e përdor urinë si armë.
Uria është pranë në Gaza. Një e katërta e popullsisë vuan nga uria. Së bashku me ekspertë të tjerë të pavarur të të drejtave të njeriut në sistemin e Kombeve të Bashkuara (OKB) edhe unë kam parë se si Izraeli po kryen gjenocid kundër popullit palestinez në Gaza. Pak kohë më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dha vendim se veprimet e Izraelit mund të nënkuptohen si gjenocid. Që nga ajo kohë e deri më tani humbjet civile dhe vuajtjet e tyre kanë vazhduar të rriten për shkak të dhunës së Izraelit dhe aleatëve të tij kundër palestinezëve.
Në ditën kur u shpall vendimi i GJND-së, Izraeli bëri pretendime të pabaza se 12 punonjës të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) kanë bashkëpunuar me Hamasin. Izraeli aktualisht pretendon se ky numër është 9. Pas kësaj, 18 donatorë kryesorë të UNRWA-së, përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Zvicrën dhe Japoninë, pezulluan fondet e tyre.
Për këtë arsye, përfundimi i aktiviteteve të UNRWA-së deri në fund të muajit dhe humbja e burimeve jetike bazë të banorëve të Gazës, do t’i bëjë vendet donatore bashkëfajtore të urisë. Ky në të njëjtën kohë është një ndëshkim kolektiv kundër popullit palestinez, pasi një staf prej 30 mijë punonjës të UNRWA-së u shërben rreth 3 milionë refugjatëve palestinezë në Bregun Perëndimor, Liban, Siri dhe Jordani.
– Uria si armë
Për t’i vënë gjërat në një perspektivë globale, banorët e Gazës aktualisht përbëjnë 80 për qind të njerëzve në mbarë botën që përballen me urinë ose urinë katastrofike. Që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më tani nuk kemi parë që një popullsi civile të lihet kaq shpejt dhe plotësisht në uri. Si ndodhi kjo? Izraeli jo vetëm që e bën rajonin të pabanueshëm duke bombarduar shtëpi dhe infrastrukturë civile; Nuk lë asnjë vend të sigurt në Gaza. Izraeli gjithashtu përdor urinë si një armë për të dëmtuar dhe vrarë civilët në Gaza. Më 9 tetor, dy ditë pas sulmit të Hamasit, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant urdhëroi Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të vendosin rrethim të plotë në Gaza, duke parandaluar hyrjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe ilaçeve në çdo pjesë të Gazës.
Edhe tani, ndihma humanitare mezi po rrjedh në Gaza. Izraeli pengon OKB-në ose ndonjë organizatë ndihme të dërgojë ndihmë në rajon. Teksa rreziku i kushteve të urisë vazhdon të rritet, 335 mijë fëmijë nën moshën 5-vjeç janë në rrezik të kequshqyerjes serioze. Për shkak të kequshqyerjes, një brez i tërë rrezikon të vuajë nga dëmtime të përhershme fizike dhe kognitive (njohëse), të cilat mjekët i quajnë ngecje (shkurtabiq). Pavarësisht sasisë së vogël të ndihmave humanitare të lejuara, njerëzve ende u mungon karburanti për të gatuar.
Shumica e furrave nuk kanë karburant ose miell të mjaftueshëm për të bërë bukë për njerëzit. Prindërit përpiqen t’i ushqejnë fëmijët me sasinë e vogël të ushqimit të kafshëve që u ka mbetur. Kafshët e fermave janë të uritur dhe nuk mund të bëhen burim ushqimi. Ndërkohë, vazhdon të pakësohet edhe qasja në ujë të sigurt. Përveç bllokimit të ndihmës humanitare, Izraeli po shkatërron edhe sistemin ushqimor të Gazës. Që nga 7 tetori kur ushtria izraelite filloi ofensivën e tij tokësore, më shumë se 22 për qind e të gjithë tokës bujqësore në veri të Gazës, përfshirë pemishte, serra dhe toka bujqësore, janë rrafshuar nga forcat izraelite. Izraeli ka shkatërruar rreth 70 për qind të flotës së peshkimit të Gazës dhe vazhdon të shënjestrojë peshkatarët.
– Rruga e vetme: Armëpushimi
Izraeli e ka mbytur Gazën prej vitesh. Që nga viti 1948 e deri më tani, palestinezët u kanë rezistuar vuajtjeve dhe vdekjeve të shkaktuara nga dëbimi masiv dhe shpronësimi nga shtëpitë dhe fshatrat e tyre nga Izraeli. Që nga viti 1967, palestinezët i janë nënshtruar pushtimit të tokave palestineze në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si dhe persekutimit të avancimit të regjimit të aparteidit. Izraeli ka vendosur bllokadë në Gaza që nga viti 2007, duke kufizuar në mënyrë serioze qarkullimin e mallrave.
Për shkak të bllokadës, edhe para kësaj lufte, gjysma e banorëve të Gazës kishin mungesë për sigurinë ushqimore dhe 80 për qind e tyre kishin nevojë për ndihmë humanitare. Mënyra e vetme për t’i dhënë fund këtij tmerri është një armëpushim i menjëhershëm dhe ndihma humanitare pa pengesë. Mënyra e vetme për të arritur paqen e qëndrueshme është zbatimi i të drejtës së popullit palestinez për të caktuar vetë fatin e tij.
Njerëzit janë dëshmitarë të tmerreve në Gaza dhe po ngrenë zërin e tyre kundër kësaj. Grupet që organizohen politikisht po ushtrojnë presion mbi qeveritë e tyre dhe kërkojnë armëpushim dhe ndihmë të papenguar humanitare. Qeveritë tani duhet t’i dëgjojnë këto thirrje dhe duhet të ushtrojnë presion të vërtetë politik dhe ekonomik mbi Izraelin dhe aleatët e tij për t’i dhënë fund urisë dhe gjenocidit në Gaza.
[Michael Fakhri, është Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtën për Ushqim]
*Mendimet e shprehura në artikuj i përkasin autorit dhe mund të mos pasqyrojnë politikën editoriale të Agjencisë Anadolu.