BE urdhëron Apple t’i paguajë Irlandës miliarda në tatim kthyes

Gjiganti teknologjik amerikan Apple do të duhet t’i paguaj Irlandës 13 miliardë euro në tatim kthyes, njoftoi të martën Komisioni Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Komisioni thotë se Irlanda i ka mundësuar kompanisë Apple përfitime të paligjshme gjë e cila u zbulua përmes hetimit për aferën e tatimit që nisi në vitin 2014, e cili rezultoi se skema speciale përmes së cilës dërgohen përfitimet përmes Irlandës ishte ndihmë shtetërore joligjore.

“Tatimi irlandez për Apple është ndihmë shtetërore e paligjshme. Apple do të duhet të kthejë 13 miliardë euro tatim të papaguar”, deklaroi komisarja e BE-së Margrethe Vestager në llogarinë e saj në Twitter.

Në vitin 1980 Apple hapi bazën e saj të parë në Irlandë ku ka të punësuar rreth 6.000 njerëz. Përkundër hetimit të BE-së për aferën e tatimit, kompania vendosi të zgjerojë bazën e saj në Cork, vendim ky i cili pritet të hapë rreth 1.000 vende të reja pune.