Një gjykatë pakistaneze ka urdhëruar arrestimin e ish-Kryeministrit, Nawaz Sharif i akuzuar për korrupsion pasiv.
“Gjyqtari Mohamed Bashir lëshoi një urdhërarresti për Sharifin gjatë seancës së sotme gjyqësore në Islamabad”, tha avokati i ish-kryeministrit, Khawaja Haris.
Sharif dha dorëheqjen si kryeministër më 28 korrik pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Pakistanit për largimin e tij nga detyra pas një hetimi ndaj familjes së tij.
Seanca gjyqësore u zhvillua në mungesë të Sharif për arsye se ai ndodhej në Arabinë Saudite.
“Gjyqtari paralajmëroi se do të lëshonte një urdhër që i kufizonte Sharifit të drejtën për të kërkuar liri me kusht, nëse ai nuk paraqitej në seancën e ardhshme të gjykatës, e planifikuar më 3 nëntor”, shtoi Haris.
Gjatë seancës gjyqësore javën e kaluar, gjykata përgjegjëse shpalli fajtor Sharif, vajzën dhe dhëndrin e tij, të akuzuar për marrjen e ryshfeteve gjatë dy mandateve të tij të mëparshme, në vitet 1990.
Akuzat për marrjen e ryshfeteve vijnë pas skandalit të vitit të kaluar në “Panama Papers”, që shënjestronin familjen e tij në kompanitë off-shore.
Kundërshtarët politikë të Sharif e kanë akuzuar atë dhe familjen e tij për pastrimin e parave dhe përdorimin e pasurisë për blerjen e pronave në Londër.