1. Është e dijtur kahmoti që urat si konstruksione fizike nuk simbolizojnë thjesht vetëm struktura të zakonshme prej guri, betoni ose hekuri që përshkojnë një lumë, një qytet, apo një vend të caktuar. Ato janë edhe një lloj shpirti e arti metafizik që mëtojnë të lidhin brigjet dhe të shërbejnë si alter ego e jetës, e tolerancës, e bashkëjetesës, e nëse doni edhe miqësisë midis popujve, shteteve e kombeve të ndryshme. Secila urë, me këto cilësi e destinacione, ka një simbolikë, po edhe një porosi të caktuar. E përbashkëta e gjithave porosive të urave, është dhe mbetet se; ato lidhin brigje me botëkuptime, sisteme, ideologji e bindje të larmishme sociale, politike, ekonomike, fetare e kulturore.
2. Në fakt, të hapësh një urë do të thotë të zgjasësh dorën e miqësisë dhe të bashkéjetesës me të tjerët. Të zbusësh paragjykimet dhe të mënjanosh armiqësitë e akumuluara, të minimizosh barriera e të fshijsh kufijt etnik, fetar, social e politik. Madje, edhe të zbusish si mosmarrëveshjet ashtu edhe armiqësitë e frustrimet midis popujve e shteteve. Urat fundi i fundi përveç lidhjes së brigjeve frymëzojnë (në shumicën e kontesteve ndërshtetërore, si është rasti ynë me Serbinë) të krijojnë atmosferë edhe të një lloj “kimie”interesante sociale mes njerëzve.
3. Andaj, moshapja e urës në Mitrovicë, padyshim që në mënyrë (in)direkte e ridëshmon qoftë edhe figuratisht shtrirjen e sovranitetit të Serbisë, mbi 25% të gjeografisë së Kosovës. Pajtimi me këte konstatim, përveç që rrjedhimisht nënkupton një raport antidemokratik, nënkupton edhe një pranim anticivilizues. Ngase, mbyllja është kundër lirisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë të njerzëve e mallrave dhe kundër parimeve fundamentale të shtendërtimit. Cilësi kjo që sot i identifikon pjesën dërmuese të sistemit vleror të botës perëndimore…
Prof. Fadil Maloku