Një nga uraganet më të fuqishme në histori ka marrë deri tani dhjetra jetë njerëzish dhe ka shkaktuar miliona dëme në Karaibe dhe në kontinentin amerikan.
Ndërsa banorët e Floridas dhe vendet përreth janë duke pritur më të keqen, bahamasit po përjetojnë një tronditje tjetër, pasi pas stuhisë ishulli i tyre është i panjohshëm.
Se sa është i fuqishëm uragani tregojnë edhe regjistrimet nga Bahama, ku “Irma” ka thithur oqeanin, duke i lënë plazhet dhe brigjet e thara dhe të panjohura.
“Uragani ka thithur ujin. Me një fjalë nuk ka më ujë. Si plazhi ashtu edhe oqeanet janë zhdukur”, ka shkruar një nga vendorët në një postim të tij në Twitter, duke postuar një filmim nga plazhi Long Island.
Në vendet ku deri së fundi kishte një oqean, kishte mbetur mbetje nga fundi i oqeanit si guacka të ndryshme, peshq të ngordhur, litarë të ndryshëm, çizme, etj.
Angela Fritz, parashikuese e motit, konfirmoi se ky fenomen është i vërtetë dhe se mund të ndodhë me uragane jashtëzakonisht të fuqishme si ky.
“Stuhia është aq e fuqishme sa që mund të ndryshojë pamjen dhe formën e oqeanit. ‘Irma’ është tepër e fortë dhe presioni i saj është shumë i ulët, kështu që ajo thith ujin rreth saj, duke e shtyrë atë në qendër të stuhisë”, tha ajo për mediat amerikane.
Meteorologët paralajmëruan banorët që të largohen nga bregdeti, pasi niveli i oqeanit mund të rritet me shpejtësi./Mesazhi/
https://www.youtube.com/watch?v=eRnWmSMEmpM