UNRWA: Mbi 415 mijë banorë të Gazës të zhvendosur strehohen në shkollat e OKB-së

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka bërë të ditur se mbi 415 mijë banorë të zhvendosur të Gazzës po strehohen në ndërtesat shkollore të agjencisë, transmeton Anadolu.

UNRWA në mediat sociale postoi një dëshmi të Aishes, një prej shumë grave të Gazës që strehohen në një shkollë.

Duke shprehur rraskapitjen e saj, Aisha tha se “ky vend është i destinuar për edukim dhe jo për të jetuar”.

“Ne vuajmë jashtëzakonisht nën kushtet shëndetësore që po përjetojmë, kushtet ekonomike, luftën për të siguruar ushqim dhe pije. Nuk ka mbështetje, asnjë ndihmë”, tha Aisha e strehuar në shkollë së bashku me familjen e saj.

UNRWA-ja tha se qindra mijëra të tjerë po përpiqen të mbijetojnë në kushte edhe më të këqija në strehimore të improvizuara.

Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë të paktën 44.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 105 mijë të tjerë.

Tashmë viti i dytë i gjenocidit në Gaza ka tërhequr një dënim në rritje ndërkombëtar, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.

Më 21 nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën vdekjeprurëse në Gaza.