Ballina Lajmet Rajon dhe Botë UNRWA: Ga’za është kthyer në varrezë për fëmijët

UNRWA: Ga’za është kthyer në varrezë për fëmijët

Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini tha se Rripi i Gazës nën sulmet e Izraelit është kthyer në varrezë për fëmijët, transmeton Anadolu.

Në llogarinë e tij në rrjetet sociale Lazzarini ka shpërndarë një postim në lidhje me situatën e fëmijëve palestinezë me rastin e Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijëve.

Duke vënë në dukje Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Lazzarini rikujtoi se komuniteti ndërkombëtar është zotuar që me këtë hap të respektojë dhe mbështesë të drejtat e fëmijëve.

Ai theksoi se pavarësisht kësaj marrëveshjeje, të drejtat e fëmijëve palestinezë shkelen çdo ditë.

Lidhur me situatën e fëmijëve në Gaza të cilën Izraeli e sulmon që nga 7 tetori 2023, Lazzarini tha: “Gaza është kthyer në varrezë për fëmijët. Ata janë vrarë, plagosur, shpërngulur me forcë, privuar nga siguria, arsimi dhe loja. Atyre u është vjedhur fëmijëria dhe janë rrugës për t’u bërë një brez i humbur duke humbur edhe një vit arsimimi”.

– Në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori janë vrarë më shumë se 170 fëmijë

Lazzarini tha se fëmijët jetojnë në frikë dhe ankth në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe se më shumë se 170 fëmijë janë vrarë në sulmet e forcave izraelite që nga 7 tetori 2023.

Në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 43.985 palestinezë, përfshirë rreth 17.492 fëmijë dhe 11.979 gra, ndërsa janë plagosur 104.092 persona të tjerë.

Në këto sulme, mbi 35 mijë fëmijë në Gaza kanë humbur prindërit ose të paktën njërin nga prindërit e tyre.

Exit mobile version