Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha se po planifikon të ndalojë aktivitetet e ndihmës për shkak të ligjit të miratuar në parlamentin izraelit që kufizon punën e saj, transmeton Anadolu.
Parlamenti izraelit (Knesset) miratoi dy projektligje në tetor që synojnë ndalimin e aktiviteteve të UNRWA-së në Izrael.
Ligjet pritet të hyjnë në fuqi këtë muaj. Ligjvënësit izraelitë argumentojnë se operacionet e ndihmës së UNRWA-s supozohet se shërbejnë si mbulesë për aktivitetet e Hamasit, një pretendim që agjencia e ka mohuar vazhdimisht.
Zyrtarët e OKB-së kanë ngritur alarmin për pasojat e mundshme të veprimeve të Izraelit, shkruan New York Times, duke cituar zyrtarë.
Ata paralajmërojnë se asnjë organizatë tjetër nuk mund të përsërisë shërbimet gjithëpërfshirëse të UNRWA-s, të cilat përfshijnë sigurimin e ushqimit, ujit, ilaçeve, arsimit dhe strehimit për miliona palestinezë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.
Pezullimi i aktiviteteve kritike humanitare mund të përkeqësojë kushtet tashmë të rënda në ato zona.
“Kjo do të ishte një ndikim masiv në një situatë tashmë katastrofike”, tha ish-koordinatori humanitar i OKB-së, Jamie McGoldrick, duke shtuar:
“Nëse ky është qëllimi izraelit, për të eliminuar çdo aftësi për ne për të shpëtuar jetë. Duhet të parashtrohet pyetja se cila është mënyra e të menduarit dhe cili është qëllimi përfundimtar?” shtoi ai.
Sami Abu Darweesh, një palestinez 30-vjeçar që jeton në një kamp refugjatësh të menaxhuar nga UNRWA në Gaza, shprehu frikën për mbylljen e mundshme të agjencisë.
“Bota na ka braktisur. Ne nuk kemi asgjë tjetër përveç ndihmës që marrim nga UNRWA për të mbijetuar”, tha ai.
– Roli thelbësor i UNRWA-së nën kërcënim
Që nga fillimi i operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza më 7 tetor 2023, qeveria izraelite ka intensifikuar fushatën e saj kundër UNRWA-së.
Izraeli pretendon se 14 nga 12.000 punonjësit e agjencisë në Gaza ishin bashkëpunëtorë në sulmet e 7 tetorit, duke e cilësuar UNRWA-në si një platformë për Hamasin, duke bërë thirrje për mbylljen e agjencisë.
UNRWA, e themeluar në vitin 1949, ofron shërbime shëndetësore, arsimore dhe sociale për refugjatët palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, Kudsin Lindor, Libanin, Jordaninë dhe Gazan.
Agjencia punëson 30 mijë punëtorë, shumica e të cilëve janë palestinezë.
Legjislacioni i miratuar nga Knesset-i më 29 tetor synon zyrtarisht t’i jep fund operacioneve të UNRWA-së brenda Izraelit. Masa ka tërhequr kritika të ashpra nga disa vende, ndërsa SHBA i kanë kërkuar Izraelit më 30 tetor që të rishqyrtojë zbatimin e ligjeve.
Fushata ushtarake në Gaza ka pasur pasoja shkatërruese për stafin e UNRWA-së.
Raportet tregojnë se gjithsej 258 persona të angazhuar nga agjencia janë vrarë nga forcat izraelite që nga fillimi i ofensivës. Pavarësisht humbjeve, UNRWA vazhdon të ofrojë ndihmë jetike mes sfidave në rritje.
Deri tani, mbetet e paqartë se si Izraeli planifikon të zbatojë ndalimin e operacioneve të UNRWA-s, ose nëse agjencia do të jetë në gjendje të vazhdojë punën e saj humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor.