Unioni i Dijetarëve Palestinezë: Bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa kanë objektiva politike

Nasim Yasin

Unioni i Dijetarëve Palestinezë paralajmëroi se bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në zonën e qytetit të vjetër në Kudsin Lindor nën pushtim me rastin e Festës Sukkot “kanë objektiva politike”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nasim Yasin, kreu i unionit në një deklaratë me shkrim ka theksuar se “Bastisjet e hebrenjve fanatikë ndaj Xhamisë Al-Aksa, do t‘i çojnë gjërat në pikën e shpërthimit në Kuds”.

“Tentimi i hebrenjve fanatikë për të festuar në këtë mënyrë me insistim festat e tyre, kanë objektiva politike që qeveria izraelite dëshiron të realizojë”, tha Yasin duke reaguar ndaj qëndrimit në heshtje të komunitetit ndërkombëtar.

Ai bëri thirrje Jordanisë që të bëjë pjesën e saj për përjetimet në Xhaminë Al-Aksa dhe sulmet që vazhdojnë që nga fillimi i muajit.

Qindra hebrenj fanatikë të shoqëruar nga policia izraelite edhe sot hynë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa.

Me rastin e Festës Sukkot e cila sipas kalendarit hebraik fillon më 20 shtator dhe përfundon më 27 shtator, hebrenjtë fanatikë bëjnë thirrje për bastisje kundër Xhamisë Al-Aksa të cilën ata e emërtojnë si “Kodra e Tempullit”.

Bastisje të tilla që hebrenjtë fanatikë kryejnë në Xhaminë Al-Aksa shkaktojnë përshkallëzimin e tensioneve në rajon.

– Po shkelet sovraniteti i Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit

Sipas marrëveshjes së paqes të nënshkruar më 26 tetor 1994 mes Izraelit dhe Jordanisë, Xhamia Al-Aksa është nën kujdesin e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit e cila është e lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta të Jordanisë.

Por, që nga viti 2003 e deri më sot, hebrenjtë nën shoqërimin e policisë hyjnë në vendet e shenjta me vendimin e njëanshëm të Izraelit pa lejen e administratës.

Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit e cila këto hyrje i konsideron si “bastisje”, thekson se shkelet sovraniteti i muslimanëve. /aa