Unioni i Dijetarëve Islam fetva mbështetjeje për muslimanët e Arakanit

Unioni Botëror i Dijetarëve Islam (IUMS) ka lëshuar një fetva lidhur me sulmet e fundit dhe dhunën e ushtrisë së Mianmarit mbi muslimanët Arakanë, sipas të cilës ofrimi i mbështetjes ndaj muslimanëve Rohingya është farz (detyrim), gjegjësisht detyrim i çdo muslimani, raporton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e IUMS-së theksohet se ofrimi i mbështetjes ndaj muslimanëve të Arakanit sipas mundësisë është detyrim i rreptë për çdo musliman, duke bërë thirrje që hutbeja e nesërme (ligjërata fetare) e namazit të xhumasë t’i kushtohet pikërisht mbështetjes së muslimanëve të Arakanit.

Burrështetasit e botës islame ftohen që të zbatojnë bojkot ekonomik dhe politik ndaj atyre që ushtrojnë dhunë mbi muslimanët, ndërsa organizatat humanitare ftohen që të dorëzojnë sa më shumë ndihmë që është e mundur në këtë rajon.

IUMS po ashtu u bëri thirrje edhe përfaqësuesve të mediave që të bëjnë atë që është e domosdoshme kur janë në pyetje ndodhitë në Mianmar.

Sekretari i Përgjithshëm i IUMS-së Ali Al-Karadagi bëri thirrje që të shpëtohen muslimanët e Arakanit. Ai po ashtu ftoi që në hutbet e nesërme të flitet për ndodhitë në Mianmar, dhe pas namazit të mbahen protesta solidariteti.

“Në Arakan mijëra civilë janë vrarë ose detyruar që të braktisin shtëpitë e tyre. Kjo është një turp për mbarë botën. Muslimanët e Arakanit janë vëllezërit tanë për nga feja, ndërsa janë ekspozuar ndaj sulmeve të pamëshirshme. Shpëtoni”, porositi Al-Karadagi.

Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë dje bëri të ditur se muslimanët e Arakanit që kanë ikur në Bangladesh kanë arritur shifrën prej 146.000. personash.