Kreu i Komisionit të Unionit Afrikan, Moussa Faki Mahamat ka mirëpritur deklaratën e nënshkruar nga presidenti i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud dhe kryeministri i Etiopisë Abiy Ahmed dje në Ankara, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e Unionit Afrikan thuhet se Mahamat e përshkroi këtë hap të ndërmarrë nga liderët e Somalisë dhe Etiopisë si “një veprim të rëndësishëm me përgjegjësi të lartë”.
Duke thënë se mirëpret deklaratën e nënshkruar nga presidenti somalez dhe kryeministri etiopian dje në Ankara, Mahamat u bëri thirrje të dyja palëve të zbatojnë “pa vonesë” vendimet e miratuara përkatëse.
Mahamat e uroi presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe e falënderoi atë për mbështetjen e dhënë ndaj të dy palëve për një zgjidhje përmes konsultimit dhe dialogut, në përputhje me interesat e vendeve dhe popujve.
– Procesi i Ankarasë
Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar më 1 janar midis Somalilandit që shpalli pavarësinë e njëanshme nga Somalia në vitin 1991 dhe Etiopisë rriti tensionet rajonale.
Njohja e Somalilandit nga Etiopia si dhe përgatitjet e Somalilandit për t’i siguruar Etiopisë dalje në det shkaktuan reagime nga qeveria somaleze dhe krizë të madhe.
Përpjekjet e Ligës Arabe, Unionit Afrikan, Kenias dhe Xhibutit për të kapërcyer krizën ishin të pasuksesshme.
Tensionet u ulën pasi Türkiye bashkoi palët në kuadër të Procesit të Ankarasë dhe liderët që u takuan në Ankara më 11 dhjetor, të organizuar nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, arritën marrëveshje për zgjidhjen e problemit.
Sipas marrëveshjes, ndërkohë që u konfirmua integriteti territorial i Somalisë, kërkesat e Etiopisë për dalje në det u shndërruan në një proces bashkëpunimi ku të dyja palët do të dilnin fitues.
Palët synojnë të nisin negociatat teknike nën lehtësimin e Türkiyes deri në fund të shkurtit 2025 dhe të përfundojnë negociatat brenda 4 muajve.