Fondi i Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) paralajmëroi se nëse nuk do të ofrohet fondi emergjent, nuk do të mund të jepen shërbimet e “ndihmave për shpëtim të jetës” dhe “shërbimeve mbrojtëse” për fëmijët e Arakanit, të cilët kanë ikur nga incidentet “e tmerrshme” të dhunës në Mianmar, raporton Anadolu Agency (AA).
Njëra prej zëdhënësve të UNICEF-it, Marixie Mercado, në një deklaratë nga zyra e OKB-së në Gjenevë rikujtoi se UNICEF ka bërë thirrje për ndihma emergjente në vlerë prej 76,1 milionë dollarësh për përmbushjen e nevojave të fëmijëve të Arakanit.
Duke vënë në dukje se deri më tani është përmbushur vetëm 7 për qind i fondit në fjalë, Mercado kërkoi ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare.
Merkado vuri në dukje se më shumë se 60 për qind prej 582 mijë muslimanëve të cilët kanë ikur nga dhuna në Arakan dhe janë strehuar në Bangladesh, janë fëmijë.
Ajo theksoi se në rast se fondi i kërkuar nga UNICEF-i nuk do të përmbushet, nga kjo më së shumti do të preken fëmijët.
Mercado po ashtu bëri të ditur se janë detyruar që ta anulojnë projektin e 1 mijë e 400 pikave të shpërndarjes së ujit, i cili do të përmbushte nevojat për ujë të 350 mijë personave.
Mercado njoftoi se në fund të muajit nëntor do të detyrohen ta përfundojnë shpërndarjen e ujit të pastër ditor për 40 mijë persona dhe se 80 mijë fëmijë do të mbeten pa shërbime themelore të shëndetësisë.
Po ashtu për shkak të mos përmbushjes së fondit, 100 mijë fëmijë të cilët kanë ardhur në kamp nuk do të mund të vaksinohen për fruth dhe poliomielitin.
Duke vënë në duke se fëmijët e Arakanit po përballen me një persekutim të madh, Mercado thekson se këta fëmijë kanë nevojë në mënyrë urgjente për strehim, ushqim, ujë të pastërt, vaksinim dhe shërbimet tjera mbrojtëse.
Konferenca e ndihmës për Arakanin në Gjenevë
Zëdhënësi i Zyrës së Koordinimit për Çështje Humanitare të OKB-së, Jens Laerke, më parë kishte njoftuar se Organizata Ndërkombëtare për Migrim, Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) dhe Bashkimi Evropian, më 23 tetor do të organizojnë një konferencë për ndihmat ndaj Arakanit.
OKB kishte njoftuar se për përmbushjen e nevojave themelore të muslimanëve të Arakanit të cilët kanë ikur nga sulmet e ushtrisë dhe të budistëve fanatikë në Arakan të Mianmarit ka nevojë për fond emergjent në vlerë prej 434 milionë dollarë.
Laerke njoftoi se deri më tani është përmbushur vetëm 24 për qind i këtij fondi./Mesazhi/