Ballina Lajmet Rajon dhe Botë UNICEF-i: Fëmijët në Sudan në situatë të vështirë shkaku i lu’ftës

UNICEF-i: Fëmijët në Sudan në situatë të vështirë shkaku i lu’ftës

Fëmijët në Sudan po përballen me një situatë gjithnjë e më të rrezikshme përballë luftës civile dhe krizës klimatike, e cila potencialisht mund të çojë në dhjetëra mijëra vdekje të fëmijëve në muajt e ardhshëm, paralajmëroi zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, duke folur për Anadolu nga Sudani ku u vendos së fundmi.

Ai e përshkroi situatën si “kritike”, duke theksuar se Sudani po përjeton “zhvendosjen më të madhe të fëmijëve në botë”.

“Po flasim për 10.000 vajza dhe djem të zhvendosur çdo ditë”, tha Elder, duke theksuar se lufta ka prekur pesë milionë fëmijë për gati 500 ditë. Fëmijët e zhvendosur shpesh përfundojnë në kampe ku nuk ka ujë të pijshëm, pajisje mjekësore dhe kanalizime të përshtatshme.

Mungesa të mëdha ushqimore, rreziqe shëndetësore

Elder raportoi mungesa të mëdha ushqimore në gjithë vendin, të përkeqësuar nga palët ndërluftuese që shpesh bllokojnë qasjen në ndihmë.

“Fëmijët janë të kërcënuar në shumë fronte”, tha ai.

“Kohët e fundit kam parë fëmijë që u vranë në një sulm teksa luanin futboll. Por ata janë gjithashtu në rrezik nga sëmundjet, uria dhe përmbytjet. Është një fatkeqësi”, shprehet ai.

Ndryshimet klimatike përkeqësojnë krizën

Për efektet e ndryshimeve klimatike, Elder vuri në dukje se “fëmijët në Sudan po përjetojnë tani dy herë më shumë valë të nxehti sesa gjyshërit e tyre 50-60 vjet më parë”.

Ai paralajmëroi: “Fëmijët nuk kanë qëndrueshmëri për t’i bërë ballë këtij niveli të nxehtësisë së vazhdueshme dhe rraskapitëse.”

Elder bëri thirrje për rinovimin e negociatave midis ushtrisë sudaneze dhe Forcës së Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar t’i kushtojë më shumë vëmendje krizës. Organizatat humanitare, përfshirë UNICEF-in, luftojnë për të arritur tek ata në nevojë për shkak të fondeve të pamjaftueshme, pengesave burokratike dhe sulmeve të vazhdueshme. Ai theksoi se 13 rajone në Sudan janë në prag të urisë dhe kanë nevojë për ndihmë urgjente për të shpëtuar jetë.

Kritika ndaj indiferencës globale

Elder kritikoi palët ndërluftuese në Sudan dhe komunitetin ndërkombëtar për atë që ai e quajti një “shembull të rrezikshëm të indiferencës globale ndaj fëmijëve” përballë vuajtjeve të mëdha.

Pavarësisht nga rrethanat e rënda, ai vuri në dukje një “frymë uniteti të shquar” midis popullit sudanez, me komunitetet që mbështesin njëri-tjetrin përballë vështirësive.

Exit mobile version