Kombet e Bashkuara thanë se 2016-ta ka qenë viti më i keq për fëmijët e prekur nga lufta civile në Siri: së paku 652 fëmijë janë vrarë dhe miliona të tjerë kanë vuajtur si refugjatë.
“Rastet e verifikuara të të vrarëve, të gjymtimit dhe të rekrutimit të fëmijëve janë rritur ndjeshëm vitin e kaluar, në një përshkallëzim drastik të dhunës në vend”, thuhet në raportin që publikoi sot Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara – UNICEF.
Raporti vjen dy ditë para përvëjtorit të gjashë të luftës civile në Siri, e cila ka nisur në mars të vitit 2011 me shpërthimin e protestave kundër presidentit Bashar al-Assad.
Rreth 300,000 njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga luftimet, të cilat kanë krijuar po ashtu krizën më të madhe me migrantë në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Turqia dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin grupe të ndryshme rebele në luftimet kundër Assadit, ndërsa Rusia dhe Irani mbështesin Assadin.
Konflikti përfshin edhe luftëtarë të grupit militant Shteti Islamik, i cili kundërshtohet nga të gjitha palët.
“Thellësia e vuajtjes është e pashembullt”, tha Geert Cappelaere, shef për Lindjen e Mesme i UNICEF-it. “Miliona fëmijë në Siri sulmohen në baza ditore”, tha ai.
Sipas raportit, 652 fëmijët e vrarë vitin e kaluar, paraqesin rritje për 20% të viktimave fëmijë, krahasuar me vitin 2015. Raporti bën të ditur se së paku 255 fëmijë janë vrarë në ose pranë shkollave.
Shumë nga fëmijët janë vrarë direkt nga konflikti, por shumë të tjerë kanë vdekur për shkak të mungesës së qasjes te mjekët dhe shërbimet bazike, thuhet në raport.
UNICEF ka verifikuar 850 raste të fëmijëve që janë rekrutuar për të luftuar në konflikt, gati dyfish më shumë se në vitin 2015.
“Fëmijët janë duke u shfrytëzuar dhe rekrutuar për të luftuar direkt në vijat e frontit. Ata janë duke marrë pjesë gjithnjë e më shumë në role lufturake, përfshirë rastet ekstreme si: ekzekutues, kamikazë apo roje burgu”, thekson raporti.
UNICEF paralajmëron se shërbimet sociale dhe mjekësore vazhdojnë të përkeqësohen, duke detyruar shumë fëmijë “të punojnë, të martohen herët dhe të luftojnë”.
Dhjetëra janë duke vdekur nga sëmundje të parandalueshme, thuhet në raport.
I njëjti thekson se së paku 6 milionë fëmijë mbështeten në ndihma humanitare dhe se 2.3 milionë janë refugjatë në Turqi, Liban, Jordani, Egjipt dhe Irak. Rreth 280,000, ndërkaq, jetojnë nën rrethim, pa ndonjë ndihmë humanitare.