Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Filippo Grandi ka thënë se nuk pret që një numër i madh refugjatësh nga Afganistani të mbërrijnë në Evropë, për sa kohë që u sigurohet shpejt ndihmë atyre që largohen nga vendi.
“Shtrirja e çdo eksodi masiv nga Afganistani do të varet nga sa brutalisht talebanët islamikë do të vendosin që të qeverisin”, tha Grandi për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.
“Para së gjithash, do të jenë fqinjët e Afganistanit ata që kanë më shumë gjasa të shohin një fluks refugjatësh, veçanërisht Pakistani, Irani dhe, në një masë më të vogël, Taxhikistani”, shtoi ai.
Kreu i UNHCR-së theksoi se “një rrezik më i madh për Bashkimin Evropian ka të ngjarë vetëm nëse refugjatëve nuk u sigurohet ndihma e menjëhershme dhe vendosin të provojnë udhëtimin drejt Evropës”. /atsh