Ebu Hurejra (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut fali namazin bashkë me ne. Më pas u kthye me fytyrë nga ne dhe tha: “Gjatë kohës që një burrë po kulloste lopën, hypi mbi të dhe filloi ta godiste. Ajo (lopa) i tha: Ne nuk jemi krijuar për këtë gjë. Ne jemi krijuar për të lëruar tokën”. Të pranishmit thanë: “Subhanallah. Lopë që flet”?! Ai (a.s) tha: “Unë, Ebu Bekri dhe Omeri e besojmë këtë”, ndërkohë që ata të dy nuk ishin prezent. Pastaj Profeti (a.s) vazhdoi: “Gjatë kohës që një burrë po ruante kopenë me dhen, një ujk sulmoi kopenë dhe mori një dele. Burri e ndoqi, e arriti dhe e shpëtoi delen. Ujku i tha: “Kush do ta ruajë atë në ditën e kafshëve të egra, ditën ku nuk do të ketë bari tjetër përveç meje”. Të pranishmit thanë: “Subhanallah?! Ujk që flet”?! Ai (a.s) tha: “Unë, Ebu Bekri dhe Omeri e besojmë këtë”, ndërkohë që ata të dy nuk ishin prezent”([1]).
Unë, Ebu Bekri dhe Omeri
Lexoje këtë shprehje me zemër, medito rreth saj dhe përsërite disa herë. Po sikur emri yt të ndodhej në këtë shprehje?! Ajo është një shprehje, që të rrënqeth mishin, të dridh zemrën dhe të shkund shpirtin.
Fjala “Unë” nënkupton pozitën e profetësisë.
Fjala “Ebu Bekri” nënkuptn pozitën e besimit të sinqertë.
Fjala “Omeri” nënkupton pozitën e atij që dallon të mirën nga e keqja.
Pozita e profetësisë:
Profeti (a.s) na lajmëron, se ai beson se lopa dhe ujku kanë folur. Ai (a.s) beson, se një gjë e tillë ka ndodhur, ngaqë i vjen Shpallja. Ai (a.s) e di, se lajme të tilla janë të vërteta, sepse Allahu i Lartësuar e ka lajmëruar për to, tamam ashtu si Isai (a.s) i tregonte popullit të tij, se çfarë depozitonin në shtëpitë e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Unë ju lajmëroj për atë që hani dhe atë që depzitoni në shtëpitë e juaja”([2]).
Është detyrë e çdo muslimani, që të besojë në të gjitha fjalët, të cilat Profeti (a.s) ka thënë se kanë ndodhur, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Ai nuk flet nga mendja e tij”([3]). Është detyrë e çdo muslimani, që të besojë fjalët e Kuranit dhe të Profetit (a.s), sado i çuditshëm që të jetë lajmi dhe sado të papranueshme të jenë ato për logjikën tonë.
Mirëpo përse Profeti (a.s) dëshmon për besimin e Ebu Bekrit dhe të Omerit (Allahu qoftë i kënaur me ta) rreth këtyre ndodhive, ndërkohë që ata nuk ishin prezent?! Profeti (a.s) dëshmoi për besimin e Ebu Bekrit (r.a) dhe Omerit (r.a), sepse e dinte shumë mirë, se nëse ata do ta kishin dëgjuar fjalët e tij (a.s), nuk do të kishin hezituar aspak në to, por do të besonin menjëherë.
Pozita e Ebu Bekrit (r.a):
Ky hadith flet qartë për pozitën e lartë të Ebu Bekrit (r.a), sepse megjithëse ai nuk e dinte se çfarë kishte thënë Profeti (a.s), do të besonte menjëherë lajmin, sapo ta merrte vesh. Më parë, Profeti (a.s) kishte dëshmuar për besimin e tij (Ebu Bekrit) të sinqertë. Kjo ishte një prej veçorive dalluese të Ebu Bekrit (r.a). Kur Profeti (a.s) i njoftoi banorët e Mekës, se kishte shkuar për një natë në xhaminë Aksa dhe prej andej ishte ngjitur në qiell, ata e kundërshtuan dhe nuk i besuan fjalët e tij. Menjëherë shkuan tek Ebu Bekri (r.a) dhe i thanë: “Dëgjo se çfarë ka thënë shoku yt! Ai thotë, se mbrëmë ka shkuar në xhaminë Aksa, prej andej është ngjitur në qiej e më pas është kthyer përsëri në Tokë. Ai pretendon se e ka bërë këtë brenda një nate, kurse ne duam një muaj që të shkojmë atje dhe një muaj që të kthehemi”. Ebu Bekri (r.a) pyeti: “A kështu ka thënë”? Ata thanë: “Po, kështu ka thënë”. Ebu Bekri (r.a) tha: “Nëse e ka thënë këtë fjalë, ai është i sinqertë dhe unë e besoj”. Ata pyetën: “Si e beson një gjë të tillë”?! Ai tha: “Unë besoj më tepër se kaq, besoj lajmin e zbritur nga qielli e jo më se ai ka shkuar në xhaminë Aksa”. Qysh pas kësaj ndodhie, Ebu Bekri (r.a) u quajt edhe “Es Sidik – i sinqerti”.
Pozita e Omerit (r.a):
Qysh në çastin që besimi depërtoi në zemrën e Omerit (r.a) dhe deri në fund të jetës së tij, ai ka qenë “El Faruk – ndarësi i të vërtetës nga e pavërteta”. Ai e mbrojti fenë dhe muslimanët nga idhujtarët e Mekës dhe sillej drejt me të gjithë.
Nëpërmjet tij, Allahu e forcoi pozitën e Islamit në Mekë,
Ai ishte shkaku kryesor – pas mirësisë së Allahut – i çlirimit të vendeve si Persia dhe “Bejtul Makdis”.
Islami i tij ishte çlirim për muslimanët, hixhreti i tij ishte triumf dhe prijësia e tij ishte mëshirë.
Ai e kishte shumë frikë Allahun e Lartësuar, saqë iu krijuan dy viza në faqe nga e qara e shumtë.
Shejtani ndiqte një rrugë tjetër nga ajo që ndiqte Omeri (r.a) dhe largohej prej tij
A mund të jesh edhe ti si Omeri, që të ndash të vërtetën nga e pavërteta, të bësh dallimin mes udhëzimit dhe humbjes… Ti mund të thuash se kjo është shumë e thjeshtë, kurse unë them, se kjo ka të bëjë me devotshmërinë dhe përkushtimin e njeriut.
Nëse je njeri i devotshëm, Allahu do të të bëjë të aftë, që të ndash të vërtetën nga e pavërteta. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt”([4]).
Së fundmi e lus Allahun, që të na japë: besim të sinqertë, aftësi për të bërë dallimin midis të vërtetës e të gabuarës dhe ta pasojmë rrugën e Profetit (a.s).
[1] – Buhariu (3471).
[2] – Sure Ali Imran: 49.
[3] – Sure El Kamer: 3.
[4] – Sure El Enfal: 29.