Të paktën 34 persona u vranë nga një sulm raketor rus dje në qytetin verilindor ukrainas Sumy, që ndodhet rreth 31 kilometra nga kufiri rus, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në Telegram nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës thuhet se mes të vrarëve në sulm ishin edhe dy fëmijë.
Shërbimi njoftoi se numri i të plagosurve është 117, mes të cilëve 15 fëmijë dhe se punimet e kërkim-shpëtimit në vendngjarje vazhdojnë.
“Në ditën e Dielës së Palmave, komuniteti ynë pësoi një tragjedi të tmerrshme. Armiku nisi sulm me raketa ndaj civilëve”, tha kryebashkiaku i Sumy-t, Artem Kobzar më herët në Telegram, duke përmendur ditën e veçantë për të krishterët përpara Pashkëve.
Këshilli i Qytetit Sumy më vonë njoftoi se tre ditë zie janë shpallur në rajonin verilindor duke filluar nga e hëna.
Në dy deklarata të veçanta në rrjetin social X, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje botës “të mos qëndrojë e heshtur apo indiferente” ndaj sulmeve, duke thënë se sulme të tilla meritojnë “asgjë veç dënimit”.
Ai pohoi se në mungesë të presionit dhe mbështetjes së mjaftueshme për Ukrainën, Moska do të vazhdojë të zvarritë konfliktin.
Kryediplomati ukrainas Andrii Sybiha tha në X se Rusia refuzoi të pranonte një propozim të SHBA-së për armëpushim të plotë për të dytin muaj me radhë, edhe pse Kievi e pranoi pa kushte propozimin më 11 mars.
Inteligjenca e Mbrojtjes e Ukrainës pretendon se sulmi ndaj qytetit Sumy është kryer me dy raketa balistike “Iskander-M” të lëshuara nga rajonet ruse Voronezh dhe Kursk.
Autoritetet ruse nuk kanë komentuar menjëherë mbi sulmin.
Udhëheqësit evropianë dënuan fuqishëm sulmin rus ndaj qytetit ukrainas.