Ukrainasit po përpiqen të fshijnë gjurmët e luftës në fshatrat mbi të cilët është kthyer kontrolli nga trupat ruse në rajonin e Kharkivit, raporton Anadolu Agency (AA).
Banorët e fshatit Mala Rohan, i cili mban plagët e luftës, po riparojnë shtëpitë e dëmtuara dhe vazhdojnë të merren me bujqësi.
Në hyrje të fshatit tërheqin vëmendjen automjetet civile dhe ushtarake të thyera nga tanket.
Në një bisedë për AA, banori i këtij fshati Vasily Zabara tha se nuk e prisnin që Ukraina të sulmohej kaq brutalisht.
“Kishte rrezik, por nuk e prisnim që Rusia të na sulmonte kaq shpejt. Një kolonë me tanke dhe mjete të blinduara ruse filloi të hynte në fshat më 26 shkurt, dy ditë pas fillimit të luftës”, kujton 71-vjeçari.
Ushtria ruse krijoi një bazë të përkohshme në fshat dhe prej andej filloi të sulmojë rajonin e Kharkivit, shpjegoi Zabara, duke shtuar:
“Katër ditë pasi hynë në fshat, ushtarët rusë kontrolluan të gjitha shtëpitë”.
Duke u shprehur se janë strehuar në bodrum për shkak të përleshjeve intensive në fshat, Zabara tha: “Kemi qëndruar një muaj në strehimore. Ishte ftohtë, temperatura ishte nën zero. Me mua ishin vajza, gruaja dhe nipi 12-vjeç. Të gjithë ishim shumë të frikësuar”.
Ai tha se ushtarët ukrainas kanë hyrë në fshat më 27 dhe 28 mars dhe kanë rimarrë kontrollin, duke shtuar se përleshjet më intensive në fshat kanë ndodhur gjatë këtyre dy ditëve.
Sipas tij, avionët rusë për çdo ditë godisnin rajonin. Ai shtoi se zhurmat e shpërthimeve tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre.
Zabara tha se po përpiqej të riparonte shtëpinë dhe hambarin e tij të dëmtuar me ndihmën e fqinjëve.
“Jeta vazhdon. Duhet të jetojmë disi. Duhet të vazhdojmë jetën. Nuk kemi zgjidhje tjetër”, përfundoi Zabara.