Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka njoftuar se ushtria ruse ka humbur 200 ushtarë të tjerë në 24 orët e fundit, me çka numri i ushtarëve rusë të vrarë në luftë deri më sot ka arritur në 35.450, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës informoi për humbjet e ushtrisë ruse mes periudhës 24 shkurt-29 qershor, ndërsa thuhet se ushtria ruse në 24 orët e fundit ka humbur edhe 200 ushtarë të saj.
Sipas njoftimit, ushtria ruse në 24 orët e fundit ka humbur 200 ushtarë, 4 mjete ajrore pa pilot, 5 tanke, 3 topa, 3 raketahedhëse, 16 mjete të blinduara, 3 raketa lundruese dhe 1 sistem të mbrojtjes ajrore.
Ndërkohë, që nga fillimi i luftës ushtria ruse ka humbur 35.450 ushtarë dhe janë rrëzuar 217 avionë dhe 185 helikopterë, ndërsa janë shkatërruar 1.572 tanke, 3.720 mjete të blinduara, 781 topa, 246 sisteme raketahedhëse dhe 103 sisteme të mbrojtjes ajrore që u përkasin rusëve.
Derisa forcat ruse kanë humbur 2.598 automjete, 14 anije dhe skafe të lehta shpejtësie dhe 640 mjete ajrore pa pilot (dronë), theksohet se nga njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës janë goditur dhe shkatërruar edhe 142 raketa lundruese të lëshuara nga rusët.
Më tej, bëhet e ditur se luftimet intensive vazhdojnë në drejtim të rajonit Lysychansk, se trupat ruse kanë pësuar më shumë humbje në drejtim të rajonit Bahmut ku vazhdojnë konfliktet dhe se ushtria ruse po përpiqet të mbajë nën kontroll zonat që ka marrë nën kontroll në drejtim të Kharkivit.
Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë më 25 mars njoftoi se në Ukrainë kanë humbur jetën 1.351 ushtarë rusë.