Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ukraina sulmon Moskën me mbi 30 dronë

Ukraina sulmon Moskën me mbi 30 dronë

Ukraina ka sulmuar Moskën të dielën me të paktën 32 dronë, sulmi më i madh me dronë në kryeqytetin rus që nga fillimi i luftës në vitin 2022.

Sulmi ka bërë që fluturimet të devijohen nga tri nga aeroportet kryesore të qytetit, dhe ka lënë të plagosur të paktën një person, raporton Reuters.

Mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar 32 dronë që fluturonin drejt Moskës mbi rajonet Ramenskoye dhe Kolomensky të rajonit të Moskës, si dhe në qytetin Domodedovo, shtëpia e një prej aeroporteve më të mëdha të qytetit, sipas kryebashkiakut të Moskës, Sergei Sobyanin.

“32 dronë që fluturonin për në Moskë janë shkatërruar”, ka thënë Sobyanin.

Moska dhe rajoni i saj përreth, me një popullsi prej të paktën 21 milionë banorësh, është një nga zonat më të mëdha metropolitane në Evropë, krahas Stambollit.

Distrikti Ramenskoye, rreth 45 km në juglindje të Kremlinit, u shënjestrua për herë të fundit në shtator në atë që atëherë ishte sulmi më i madh i Ukrainës në kryeqytetin rus, kur njësitë ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 20 dronë.

Lufta afro tri-vjeçare në Ukrainë po hyn në atë që disa zyrtarë thonë se mund të jetë akti i saj përfundimtar pasi forcat e Moskës përparuan me ritmin më të shpejtë që nga ditët e para të luftës dhe Donald Trumpi u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Trump, i cili merr detyrën në janar, tha gjatë fushatës se ai mund të sillte paqen në Ukrainë brenda 24 orëve, por ka dhënë pak detaje se si do të kërkonte ta bënte këtë. /koha

Exit mobile version