Teksa priste një fluturim të shtyrë nga Aeroporti i Stambollit këtë javë, Samet Yilmaz mbante telefonin e tij duke treguar një foto të rrënojave. Ai tha se vëllai i tij, Ismaili, ishte ngujuar nën to.
Sameti jeton në Bahrain, por është bashkuar me një mori njerëzish që po udhëtojnë për në Turqinë jugore pas tërmetit të fuqishëm që ka lënë të vdekur mijëra njerëz.
Ashtu si të tjerët, ai beson se ka më shumë gjasa ta gjejë vëllanë e tij të zhdukur nëse e kërkon vetë nëpër rrënoja.
Ismaili, një arkëtar supermarketi 26-vjeçar, kishte qëndruar me të afërmit në provincën Hatay në kufirin me Sirinë në kohën e tërmetit.
Të tjerët, përfshirë kunatin e tij, u tërhoqën nga mbetjet e ndërtesës më vonë atë ditë, por Ismaili nuk është gjetur, tha Sameti.
“Më mungon shumë. Kam ardhur nga Bahraini në Turqi për ta kërkuar. Ai është vëllai im i vetëm”, tha ai për BBC-në.
Sameti e përshkroi Ismailin si inteligjent dhe “të turpshëm me vajzat”. Ai tha se ishte i pashpresë për lajme të mira, por ndjeu se nuk kishte “asnjë ndihmë” me kërkimin.
Pasi mbërriti në Turqi, Sameti priti për orë të tëra në Stamboll për një fluturim për ta çuar në Adana në jug të vendit, përpara se të fillonte udhëtimin e gjatë për në provincën Hatay.
“Është kaq ftohtë këtu. Jeta është e vështirë”, tha ai me mesazh nga WhatsApp-i vonë të martën mbrëma pasi mbërriti në provincën, e cila është shkatërruar nga tërmeti.
Pa pasur ku të qëndronte, ai u ngroh nga një zjarr gjatë natës, ndërsa priste dritën e ditës që të mund të fillonte kërkimin për Ismailin.
Sameti nuk është vetëm. BBC-ja ka folur me njerëz nga e gjithë Turqia dhe jashtë saj, të cilët kanë udhëtuar në zonat e goditura nga tërmeti për të kërkuar për të dashurit e humbur.
Në qytetin e Antakyas, burra të pajisur me kazma dhe leva kaluan në rrënojat e një ndërtese të rënë të martën, duke kërkuar të mbijetuarit. Ata i thanë BBC-së se ishin anëtarë të familjes së banorëve të ndërtesës dhe kishin ardhur nga Stambolli për të kërkuar të afërmit e tyre.
Studentja e mjekësisë, Aylin Pulat, nuk mundi të kontaktonte disa anëtarë të familjes së saj, përfshirë prindërit e saj, pas tërmetit.
Ajo është e vendosur në Mugla, më shumë se 1 mijë km nga shtëpia e familjes së saj në Adiyaman.
Pa asnjë lajm për fatin e familjes së saj, ajo bëri një udhëtim katërorësh me autobus, një fluturim dyorësh dhe më shumë se dy orë me makinë për në qytetin e saj të lindjes për të zbuluar nëse ata ishin gjallë.
Për fatin e saj të mirë, ajo mbërriti për të zbuluar se vëllezërit e motrat dhe prindërit e saj kishin mbijetuar. Por 20 të afërm të tjerë kishin vdekur.
“Kur mbërrita, pashë se shumë nga qyteti ishte shkatërruar dhe nuk kishte vend të sigurt për njerëzit që të strehoheshin”, tha ajo.
“I vetmi lehtësim që pata ishte kur pashë se pothuajse e gjithë familja ime [e afërt] ishte e sigurt. Nuk isha e sigurt përpara se të shkoja atje”.
“Kur i gjeta, të gjithë ishin të veshur me pizhame dhe kështu e dija se kishin shpëtuar pa asgjë. Ne të gjithë ngrimë së ftohti”.
Ajo tha se mund të dëgjonte zëra nga disa ndërtesa të rrëzuara, por se përpjekjet e shpëtimit po u liheshin kryesisht banorëve të qytetit.
“Njerëzit thjesht presin të pafuqishëm për të arritur tek të dashurit e tyre nën rrënoja. Ne kemi nevojë për mbështetje këtu sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Përktheu: Forca Jashari/koha