“Udhëtimi drejt shpresës” arrin kulmin në 6 muajt e fundit

Numri i migrantëve që përpiqen të kalojnë ilegalisht në ishujt grekë me shpresën për një jetë më të mirë në Evropë, në gjashtë muajt e fundit ka arritur kulmin, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekipet e Komandës së Sigurisë Bregdetare në 20 ditët e muajit shtator kanë kapur 2.022 migrantë në Detin Egje, numër ky që është regjistruar si më i larti që nga muaji mars e deri më tani.

Sipas të dhënave të siguruara nga gazetari i AA-së, edhe pse në vitin 2016 duket të jetë zvogëluar në masë të madhe numri i migrantëve që morën “udhëtimin drejt shpresës” për jetë më të mirë në Evropë si refugjatë duke braktisur vendet e tyre nga shkaku i luftrave të brendshme dhe pasigurisë politike dhe ekonomike, ky numër sërish filloi të rritet në muajt e fundit të këtij viti.

Migrimi ilegal i cili u zvogëlua në disa qindra pas marrëveshjes mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian që u nënshkrua më 18 mars 2016 për parandalimin e migrimit të parregullt, trafikimit me njerëz dhe vdekjeve, ka arritur kulmin afërsisht brenda dy muajve.

Rritje për 120 përqind në krahasim me muajin e kaluar

Numri i migrantëve ilegalë të kapur në Detin Egje në 20 ditët e muajit shtator është numri më i madh që nga muaji mars, duke arritur në 2.022.

Ky numër, krahas që tregon për rritje prej 120 përqindësh në krahasim me periudhën e njëjtë të muajit të kaluar, po ashtu është regjistruar si numri më i lartë në gjashtë muajt e fundit.

Në kuadër të “Operacionit të shpresës në Egje”, vetëm në periudhën e festës së Kurban Bajramit, konkretisht periudhën mes datave 12 dhe 15 shtator, gjatë 14 operacioneve për kërkim-shpëtim janë kapur 679 migrantë në ujërat e qytezave Dikli dhe Çeshme të Izmirit, Didim të Aydinit, Ayvacik të Çanakalasë dhe Bodrum të Muglas.

Numri i të kapurve ka kaluar mbi 30 mijë

Numri i përgjithshëm i migrantëve të kapur nga ekipet e Komandës së Sigurisë Bregdetare që nga fillimi i vitit e deri më tani ka arritur në 30.654. Në Detin Egje dhe Mesdhe, në muajin janar ishin kapur 5.506 migrantë, në shkurt 8.747, në mars 8.530, në prill 1.717, në maj 1.109, në qershor 538, në korrik 881, ndërsa në muajin gusht 1.604 migrantë.