Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Udhëtarët britanikë përballen me pritje të gjata në kufirin francez, Britania akuzon...

Udhëtarët britanikë përballen me pritje të gjata në kufirin francez, Britania akuzon Francën për kaosin

Që nga largimi i Britanisë nga BE në vitin 2020, udhëtarët britanikë përballen me kontrolle më të rrepta kufitare gjatë udhëtimeve të tyre. Në Dover ato pasi kalojnë anën angleze të kanalit i nënshtrohen kontrollit nga stafi francez

Britanikët që u nisën për pushime me traget u përballën me disa orë pritje në portin Dover, ndërsa autoritetet britanike fajësuan zyrtarët francezë për kaosin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Autoritetet e portit Dover thanë se mungesa e zyrtarëve kufitarë francezë ka çuar në pritje deri në gjashtë orë për kontrolle kufitare në portin ‘La Manche’, ku radhët e makinave me turistë dhe të mallrave kanë shkaktuar radhë të gjata disa kilometra.

Autoritetet e portit përmes një deklaratë thanë se numri i policëve kufitarë francezë “ka qenë i pamjaftueshëm dhe është larg numrit të nevojshëm për të siguruar qarkullim të pandërprerë në fundjavën e parë të periudhës së pikut të pushimeve verore”.

Që nga largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian (BE) në vitin 2020, udhëtarët britanikë përballen me kontrolle më të rrepta kufitare gjatë udhëtimeve të tyre. Në Dover ato pasi kalojnë anën angleze të kanalit i nënshtrohen kontrollit nga stafi francez.

Shefi ekzekutiv i Portit Dover, Doug Bannister, tha se porti kishte shpallur “incident kritik”.

“Jemi zhgënjyer keq mëngjesin e sotëm nga kufiri francez”, tha ai, duke u bërë thirrje udhëtarëve që “të shqyrtojnë shtyrjen e nisjes për në port në këtë moment deri në një njoftim tjetër”.

Operatori i trageteve P&O tha se “aktualisht pritjet janë më shumë se katër orë për të arritur kontrollet kufitare” në Dover, duke u bërë thirrje udhëtarëve që të “jenë të përgatitur për një pritje të zgjatur”.

Miliona njerëz në Britani që përpiqen të fillojnë pushimet këtë fundjavë, fillimi i pushimeve verore për shumicën e shkollave, përballen me kërcënimin e pengesave të udhëtimit rrugor, detar, hekurudhorë dhe ajror.

Protestuesit kundër çmimeve të larta të karburantit thanë se planifikojnë bllokada të rrugëve sot në rrugët që çojnë drejt Anglisë jugperëndimore, një destinacion i famshëm pushimesh.

Problemit i shtohet edhe ndërprerja disa ditore e udhëtimit në hekurudhat e Britanisë pasi vala e të nxehtit solli temperatura rekord prej 40 gradë Celsius në Britaninë e Madhe, duke shkaktuar shtrembërim të binarëve dhe zjarre buzë linjës.

Punëtorët hekurudhor organizuan gjithashtu greva mbarëkombëtare muajin e kaluar rreth pagave dhe kushteve të punës, ndërsa planifikojnë grevë edhe më të madhe javën e ardhshme.

Gjithashtu edhe udhëtimi ajror është goditur në Britani dhe në mbarë botën, pasi kompanitë ajrore dhe aeroportet po luftojnë për të përballuar rikthimin e udhëtimeve masive pas ndërprerjes dyvjeçare nga pandemia COVID-19. /aa

 

 

Exit mobile version