Udhëheqësi i sapozgjedhur i Partisë Liberale Mark Carney u betua sot si kryeministri i 24-t i Kanadasë në Rideau Hall në kryeqytetin Otava, raporton Anadolu.
“Ne jemi një qeveri shumë e fokusuar – e fokusuar në veprim”, u tha Carney gazetarëve jashtë Rideau Hall përpara ceremonisë së betimit.
Ai gjithashtu ndau një postim në X, duke thënë: “Sot, ne po ndërtojmë një qeveri që përmbush momentin. Kanadezët presin veprim dhe kjo është ajo që ky ekip do të japë”.
“Një kabinet më i vogël dhe me përvojë që lëviz më shpejt, siguron ekonominë tonë dhe mbron të ardhmen e Kanadasë”, shtoi ai.
Kryeministri në largim Justin Trudeau dha dorëheqjen zyrtarisht sot, duke shpërbërë kabinetin e tij prej 37 anëtarësh.
Carney është ish-guvernator i Bankës së Kanadasë dhe Bankës së Anglisë. Ai gjithashtu ka punuar në Goldman Sachs dhe ka luajtur rol kyç në drejtimin e Kanadasë gjatë krizës financiare të vitit 2008.