Një nga udhëheqësit e njohur të Vëllazërisë Muslimane ka vdekur në një burg në Egjipt, sipas një grupi të të drejtave të njeriut dhe familjes së tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
“We Register” shkroi në Twitter sot, duke njoftuar vdekjen e Hamdi Hasan në burgun Al-Aqrab.
Trupi i tij iu dorëzua familjes së tij, ndërsa varrimi u bë me masa të shtuara të sigurisë, shtoi grupi i të drejtave.
Hasan u arrestua më 19 gusht 2013, ndërsa ndaj tij u shqiptuan një sërë dënimesh me burg.
Gruaja e tij, Jihad Mohammed, e kujtoi atë në një postim në Facebook duke thënë se atij i janë mohuar vizitat nga familja.
Autoritetet egjiptiane ende nuk janë prononcuar lidhur me vdekjen e tij, megjithatë, zakonisht mohojnë praninë e të burgosurve politikë në burgje.
Sipas autoriteteve egjiptiane, Hasan u burgos me akuzat për kryerje dhune në Aleksandri, Egjiptin verior, nxitje vrasjesh dhe për anëtarësim në një grup që synon të cenojë dispozitat e Kushtetutës. Hasan kishte mohuar akzuat në gjykatë.
Hasan, 65 vjeç, u zgjodh deputet midis viteve 2005 dhe 2010.
Pas rrëzimit të ish-presidentit egjiptian Mohamed Morsi në vitin 2013, autoritetet egjiptiane filluan persekutimin e anëtarëve dhe udhëheqësve të Vëllazërisë Muslimane, ndërsa grupin e shpallën të jashtëligjshëm. /aa