Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për një muaj masat e mbajtjes në paraburgim, përkatësisht arrest shtëpiak, pesë aktivistëve të Vetëvendosjes të cilët dyshohen për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.
Ky vendim i gjykatës sipas Lëvizjes Vetëvendosje është arbitrar dhe politik.
“Edhe përkundër faktit që secili nga ta akuzohet për veprën e njëjtë, të gjithë këta padrejtësisht nën akuza të montuara e të paprovuara, ndaj tyre janë vazhduar masa të ndryshme të sigurisë. Atdhe Arifi e Egzon Haliti do të vazhdojnë të mbahen në burg, kurse Adea Batusha e Frashër Krasniqi vazhdojnë të mbahen nën arrest shtëpiak, teksa Petrit Ademit i është caktuar masa e paraqitjes në Polici”.
“Ky vendim është kryekëput politik e arbitrar. Arbitrariteti në këtë rast përcillet më shkelje flagrante të procedurave penale e gjyqësore”, thuhet në reagim e VV-së, transmeton lajmi.net.
Sipas Vetëvendosjes, gjatë këtyre 3 muajve nuk është paraqitur asnjë provë kredibile që i lidh aktivistët me veprën për të cilën po akuzohen e hetohen.
“Ndërkohë që pavarësisht kësaj gjykatësi ia pranon secilën kërkesë të prokurorit të rastit Avdurrahman Islami që 5 aktivistët të mbahen nën arrest për të katërtin muaj”, thuhet ndër të tjera nga VV.
Në mesin e akuzuarëve për të sulm ndaj Kuvendit ishte edhe Astrit Dehari i cili sipas rezultatev të autopsisë ka bërë vetëvrasje në burgun e Prizrenit kohë më parë.