Ballina Lajmet Kosovë U vazhdohet edhe për 48 orë masa e ndalimit të dyshuarve për...

U vazhdohet edhe për 48 orë masa e ndalimit të dyshuarve për sulm ndaj kryetarit të Pejës

Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulmin fizik ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferri, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, e cila tha se si bazë e kësaj kërkese është ndikimi te dëshmitarët, mundësia e përsëritjes së rastit dhe rreziku i arratisjes.

“Prokuroria Themelore në Pejë në afatin e saj ligjor ka bërë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve. Kërkesa është bazuar në tri fazat që janë paraparë në kodin e procedurës penale si është rreziku i arratisjes, ndikimi në dëshmitarë sepse në vendin ku ka ndodhë ka shumë dëshmitarë dhe ende një pjesë nuk janë intervistuar dhe pastaj ekziston edhe rreziku se të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale për vetë faktin se shtëpia e të dëmtuarve dhe të dyshuarve nuk është shumë në largësi të madhe. Të dyshuarit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’”, ka thënë Nallbani Gacaferri.

Ndërkaq, dy të dyshuarve Gjykata e Pejës ua ka vazhduar masën e ndalimit edhe për 48 orë. Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësja e kësaj gjykate Elzana Kastrati.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ishte sulmuar fizikisht nga dy persona mëngjesin e 26 tetorit në Pejë.

Exit mobile version