Organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në sallën e konferencave u mbajt promovimi i librit “Nga minberi i xhumasë – hytbe” i autorit, Isa ef. Tërshani.
Mysafirëve në emër të Kryesisë së BIK-ut iu dëshiroi mirëseardhje drejtori për Kulturë dhe Botime, Ramadan Shkodra, i cili tha se kjo vepër është libri i fundit që ka nxjerrë Kryesia e BIK-ut dhe ky libër paraqet përkushtimin e imamit në kryerjen e përgjegjësisë që ka. Shtëpia botuese “Dituria Islame”, respektivisht BIK-u e ka vlerësuar si Të nevojshme që ta botojë këtë vepër të imamit tonë të nderuar, e që do të jetë në funksion të imamit për ligjërimit e tyre në xhemat.
Me fjalë rasti u paraqit edhe Myftiu Tërnava, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, vlerësoi lart punën e autorit, duke thënë se kjo vepër është me rëndësi dhe vlerë të lartë fetare, etike, kulturore. Myftiu më tej tha: “Vepra të cilën po e promovojmë sot, ka një rëndësi të veçantë, ngase në zanafillë, ligjëratat – hytbet, janë përgatitur nga imami i nderuar, për t’i kumtuar ato në minberin e xhamisë para xhematit të respektuar. Siç shihet e kuptohet tashmë nga botimi që kemi në dorë, Isa efendiu, ligjëratat i ka përgatitur me zell e përkushtim, i ka tubuar e sistemuar dhe tani i kemi të përmbledhura në një vëllim të veçantë, i cili do të shërbejë si ndihmesë për të gjithë imamët dhe hatibët tanë.” Më tej, ai tha se krahas kontributit të pamohueshëm në detyrën e imamit, Isa efendiu, është shquar edhe si udhëheqës e drejtues në institucionet e Bashkësisë Islame, por jo vetëm kaq, Isa efendiu, ka dhënë një kontribut të veçantë edhe në periodikun e BIK-ut, ku ka botuar një sërë trajtesash, kryesisht nga fusha e ahlakut. Libri që po e promovojmë sot, është një tjetër segment i suksesshëm i imamit tonë të nderuar, në të cilin, autori me kujdes e elokuencë të veçantë ka trajtuar trajtesa që janë për të gjitha shtresat e shoqërisë.
Përfaqësuesi i BFI-së nga Maqedonia e Veriut, prof. Jusuf Zimeri, mes tjerash përgëzoi autorin dhe Kryesinë e BIK-ut për këtë botim kaq me rëndësi dhe pikë referimi për gjeneratat e reja.
Për librin “Nga minberi i xhumasë – hytbe”, referuan kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili veç tjerash tha se këtu jemi sot për të promovuar librin e sapo botuar të imamit, Isa ef. Tërshani. “Ky është një kontribut jetësor i autorit. Është bërë një përpjekje dhe mund ku janë trajtuar dhe analizuar sfida të fenomeneve të ndryshme. Të qenët hatib, ligjërues në një shtëpi të Zotit, e cila na tubon për ta përmendur falënderuar dhe njohur Atë, është privilegj dhe nder e amanet yni, mision i cili duhet të përmbushet me shumë përkushtim e me e devotshmëri dhe dashuri. Stili i ligjërimit dhe artikulimit të mendimit të imamit, hatibit dhe hoxhës sonë të nderuar, Isa ef. Tershanit, që tani mund ta gjejmë të shkruar në libër, ka arritur që në shkallë të gjerë të arrij në këtë mes të artë.
Edhe referuesi tjetër, dr. Ejup Haziri, vlerësoi lart librin e autorit, duke theksuar dhe vlerësuar këtë libër tha se libri i hytbeve është një projekt që autori ka punuar me vite, dhe është i nevojshëm në rend të parë për imamët që janë ligjërues dhe të cilëve u ndihmon shumë, ngase brendësia e tij është ajka e shpjegimeve që imamët ligjërojnë para të tjerëve, dhe ngase janë ato tema që s’mund t’i anashkalosh, e pastaj edhe për shkak të rëndësisë së trajtimit të këtyre temave nga ana e atyre që kanë përvojë. Prandaj, ky libër në rend të parë do të jetë një ndihmë e madhe për imamët, e pastaj edhe për çdo lexues tjetër. Gjithashtu duhet sinjalizuar këtu se brenda këtij punimi ka tema që janë mbajtur para një dekade e më tepër, prandaj lexuesit duhet ta ketë të qartë se disa tema janë enkas për një kohë të caktuar.
Krejt në fund, autori i librit. Isa ef. Tërshani, falënderoi Kryesinë e BIK-ut në krye me Myftiun Naim ef. Tërnava për botimin e librit, duke i premtuar lexuesit se nuk do të ndalet dhe do të sjell edhe libra të tjerë.
Duhet theksuar se hytbet që shtjellohen në këtë libër janë të marra nëpër libra të hytbeve, literaturë tjetër dhe webfaqe islame. Autori është munduar që temat t’i bëj të larmishme, duke pretenduar që çdoherë të jenë aktuale për kohën dhe vendin ku ka ligjëruar. Ai ka përzgjedhur tema që trajtojnë probleme të caktuara. Zakonisht temat e trajtuara kanë të bëjnë me besimin, edukatën, moralin, mirësjelljen ndaj prindërve, edukimin e fëmijëve, dukuritë negative të pranishme në shoqëri etj.