Ballina Lajmet Turqit në Maqedoni kundër Gjergj Dedajt ambasador

Turqit në Maqedoni kundër Gjergj Dedajt ambasador

Partia për Lëvizjen e Turqve në Maqedoni (PLT) ka dërguar reagim me shkrim te presidenti Gjorge Ivanov dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, në lidhje me emërimin e Gjergj Dedaj për ambasador të Kosovës në Maqedoni.

“Jemi kategorikisht kundër që një person me mentalitet fashizoid dhe primitiv të jetë ambasador në vendin tonë, i cili në çdo segment maksimalisht mundohet të promovojë multietnicitetin. Jemi të bindur se pranimi i një personi të tillë si ambasador në Maqedoni, do të rezultojë negativisht në marrëdhëniet multietnike, por edhe në miqësinë mes Maqedonisë dhe Turqisë”, theksohet në reagimin e PLT-së, transmeton Alsat M.

Gjergj Dedaj deri para disa ditëve ishte zëvendës ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës.

Ditë më parë në Kosovë deputetët e komunitetit turk gjegjësisht ata të grupit 6 +, në takim me kryeministrin e Kosovës kishin kërkuar nga ai që zëvendësministri i atëhershëm Gjergj Dedaj të shkarkohet nga detyra e tij, për arsye të ofendimeve dhe sharjeve të cilat sipas tyre, ky i fundit i ka bërë në drejtim të shtetit turk dhe këtij komuniteti që jeton në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Dedaj kishte shkruar se Turqia e Serbia kanë qenë sundimtarët më të egër të popullit shqiptar dhe se kanë bërë krime dhe gjenocid në këto troje.

Exit mobile version