Stuhi me erëra të fuqishme ka kapluar pjesën veriperëndimore të Turqisë, duke prekur qytetet e mëdha si Stambolli, Izmiri, Bursa, Balıkesir dhe Çanakkale, ku edhe u shkaktuan dëme të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Erërat intensifikuan efektin e tyre në Stamboll, ku u regjistruan aksidente të ndryshme.
Në një incident, një kullë e sahatit në Stamboll është shkatërruar plotësisht nga stuhia. Pamjet amatore shfaqin momentet e rënies së kullës në rrethin Çatalca të Stambollit.
Kjo është vetëm një nga pronat e shkatërruara në qytet, ku janë regjistruar edhe disa dëme të tjera, si çati të rëna, pemë të shkulura, si dhe anulim të trageteve për shkak të stuhisë.
Shpejtësia e erës arriti deri në 129 km/h, që është shpejtësi e mjaftueshme për të thyer dritare dhe dyer.
Në një incident tjetër, të paktën tre persona u lënduan kur çatia e një kafeneje ra mbi një autogaleri në rrethin Bağcılar të Stambollit. Të lënduarit u dërguan në spitalet në afërsi.
Erërat e fuqishme shkaktuan dallga të mëdha në rajonet bregdetare, ndërsa në një incident tjetër, pamjet amatore shfaqin rrëzimin e kamionëve.
– Për shkak të stuhisë së erës, 6 avionë të Turkish Airlines orientohen nga Stambolli në aeroporte të tjera
Gjashtë avionë të linjës Turkish Airlines (THY), të cilët nuk mundën të uleshin për shkak të stuhisë së erës në Stamboll, u orientuan drejt aeroporteve të tjera.
Gjashtë avionët e kompanisë, të cilët nuk mundën të uleshin në Aeroportin e Stambollit dhe në aeroportin “Sabiha Gökçen” për shkak të erërave të forta dhe u detyruan të kalonin pistën dhe të bënin xhiro në ajër, u dërguan (Divert) në aeroporte të tjera.
Avionët e Turkish Airlines që fluturonin nga New York-u, Varshava, Budapesti, Malta dhe Izmiri për në Aeroportin e Stambollit u devijuan drejt Aeroportit Esenboga të Ankarasë, ndërsa avioni që kryente fluturimin Amasya-Stamboll u desh të ulej në aeroportin Adnan Menderes të Izmirit.
Këshilltari për shtyp i linjës ajrore, Yahya Üstün, në llogarinë e tij në Twitter tha: “Njoftojmë mysafirët tanë se ka ndërprerje në operacionet tona të fluturimit për shkak të kushteve të pafavorshme të motit që kanë përfshirë Stambollin. Situata pritet të vazhdojë në intervale edhe sot dhe nesër”. /aa