Ministria e Mbrojtjes së Türkiyes ka deklaruar se vendi po ndërmerr hapa kundër grupeve terroriste që përpiqen të shfrytëzojnë situatën e sigurisë në Sirinë fqinje dhe në përgjithësi në rajon, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për media në Ankara, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, admirali Zeki Aktürk tha se Türkiye po ndërmerr “masa parandaluese dhe shkatërruese kundër grupeve terroriste që po përpiqen të fitojnë terren duke përfituar nga situata që kërcënon sigurinë e Sirisë dhe rajonit tonë”.
Lidhur me situatën në Siri pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit të dielën, Aktürk theksoi se vendosmëria dhe qëndrimi i Türkiyes ndaj luftimeve të grupeve terroriste mbetet i qartë.
Asadi, lideri i Sirisë për 24 vite, u largua në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e kryeqytetit Damask, duke i dhënë fund sundimit të partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.
Türkiye prej kohësh ka ndërmarrë hapa për të penguar skemat e grupeve terroriste në veri të Sirisë, afër kufirit turk, veçanërisht kundër DEASH-it dhe PKK/YPG-së.
Në fushatën e saj terroriste 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE) ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë, foshnja dhe të moshuar.
YPG-ja është dega e PKK-së në Siri, një zonë ku grupi është përpjekur të krijojë një korridor terrorist që kërcënon Türkiyen përgjatë kufirit të saj.
Vitet e fundit, Türkiye ka vendosur trupa dhe ka punuar me aleatët lokal si Ushtria Kombëtare Siriane opozitare për të eliminuar këtë kërcënim dhe për t’i mbajtur vendasit të sigurt nga shtypja terroriste.