Presidenti Recep Tayyip Erdogan njoftoi të hënën qëllimin e Turqisë për të dërguar në hapësirë satelitin e ri turk “Turksat 6A” vitin e ardhshëm.
Kjo deklaratë e kreut të shtetit turk erdhi gjatë ceremonisë së vënies në shërbim të satelitit “Turksat 5A” në kompleksin e Turksat-it, në rrethin Golbasi të Ankarasë.
“Ne kemi prodhuar satelitin tonë «Turksat 6A» dhe po planifikojmë që ta lëshojmë në hapësirë këtë satelit, i cili është në fazën e testimit, vitin e ardhshëm. Kështu, Turqia do të renditet në mesin e 10 vendeve që mund të prodhojnë satelitë komunikimi në botë”, u shpreh ai gjatë fjalës së rastit në ceremoni.
“Aktualisht po vazhdojnë testet e satelitit tonë «Turksat 5B», fazat e projektimit dhe prodhimit të së cilit kanë përfunduar me sukses. Objektivi ynë është që ta dërgojmë këtë satelit në hapësirë në tremujorin e fundit të vitit. Kapaciteti i ngarkesës së dobishme do të jetë më shumë sesa të gjithë satelitët e derisotshëm dhe kapaciteti ynë i komunikimit të të dhënave do të jetë 15 herë më i lartë me funksionalizim e «Turksat 5B»”, vijoi Presidenti Erdogan.
Lideri turk bëri me dije gjithashtu se brenda një kohe të shkurtër do të ndajnë me opinionin publik edhe hulumtimet strategjike që do të mbështesin inovacionin e bazuar në të dhëna, do të zhvillojnë aftësinë e prodhimit të teknologjive kombëtare dhe nxisin progresin në inteligjencën artificiale.
“Me vetëdijen që kërcënimet kryesore do të vijnë gjithashtu nga hapësira kibernetike, ne do të ndërtojmë një mekanizëm të fuqishëm të mbrojtjes kibernetike”, theksoi Erdogani mes të tjerash. /trt