Turqia vazhdon me donacione për Forcën e Sigurisë së Kosovës

Në kuadër të Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar Ushtarak, Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhuruan veshmbathje ushtarake në vlerë prej rreth 910.000 dollarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e dorëzimit të donacionit në kazermën “Adem Jashari” të FSK-së në Prishtinë, morën pjesë atasheu ushtarak pranë Ambasadës së Turqisë në Prishtinë, kolonel Ismail Cenkeri Ersöz si dhe oficeri i Departamentit të Logjistikës së FSK-së, major Nazmi Zogaj.

Zogaj falënderoi kolonel Ersöz për donacionin e dhuruar dhe mbështetjen e vazhdueshme të ushtrisë dhe shtetit turk për FSK-në.

Në kuadër të marrëveshjes janë dhuruar uniforma ushtarake, uniforma piloti, kamuflazhë, pallto dimri dhe veshmbathje tjera në vlerë prej rreth 910.000 dollarë.

Marrëveshja për Bashkëpunim Financiar Ushtarak mes dy vendeve u nënshkrua gjatë vizitës së ministrit turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar vitin e kaluar në Kosovë.

Ushtria turke edhe në muajin gusht dhuroi donacion në vlerë prej rreth 743.000 dollarë për FSK-në.