Zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku, priti në takim një delegacion nga Universiteti Bezmaialem Vakif nga Turqia, kryesuar nga Rektorja e këtij Universiteti, znj. Rumeyza Kazancioglu dhe zv. Rektori z. Ibrahim Turcay.
Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e mëtejshëm në mes të universiteteve-fakulteteve në Kosovë dhe Universitetit të Fondacionit Bezmialem në fushën e shërbimeve shëndetësore.
Zëvendësministri Sadiku, falenderoi rektoren e këtij Universiteti për bashkëpunimin mes tyre si dhe mundësinë që ata kanë ofruar që nga viti 2009 e deri tash, që çdo vit nga 100 pacientë nga Kosova, të trajtohen në spitalin Bezmialem të Stambollit. Madje, u tha se numri i këtyre pacientëve që do të trajtohen në këtë spital, do të arrijë në 200. Ai tha se Msh po punon që të krijohen kushte që pacientët të trajtohen në Kosovë.
Sadiku, gjithashtu e informoi delegacionin për sistemin e shëndetësinë së Kosovës si dhe për reformat në shëndetësi.
Gjithashtu u tha se në periudhat kohore të përshtatshme për të dy palët do të organizohen vizita reciproke në Fakultetet e Mjekësisë dhe Spitalet Universitare në Kosovë me Universitetin e Fondacionit.
Aktivitetet të cilat janë planifikuar të zhvillohen me punë të përbashkët janë: Bashkëpunimi në lëmin edukativ-hulumtues në mes të fakulteteve të mjekësisë dhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe Universitetit Privat Bezmialem.
Në rast se studentët kosovarë studiojnë në Universitetin e Fondacionit Bezmialem, atyre do t’u ndihmohet rreth çështjes së bursave, si dhe 20 pacientëve me gjendje më të vështirë sociale – do t’u mundësohet trajtimi shëndetësor falas.