Turqia thirrje Arabisë Saudite të bashkëpunojë në rastin Khashoggi

Kreu i Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, në lidhje me ekzekutimin e gazetarit Jamal Khashoggi, u bëri thirrje autoriteteve saudite të “bashkëpunojnë lidhur me hetimin në vazhdim të vrasjes në Turqi”, raporton Anadolu Agency (AA).

Një gjykatë saudite në Riad të hënën dënoi tetë persona në çështjen e vrasjes së Khashoggit, pasi ai u vra në konsullatën e vendit të tij në Stamboll gati dy vjet më parë. 

Altun në Twitter tha për vendimin përfundimtar “në lidhje me ekzekutimin e gazetarit Khashoggi brenda konsullatës së Mbretërisë në Stamboll, Turqia mendon se kjo nuk përmbush pritjet e Turqisë dhe komunitetit ndërkombëtar”.

“Ne ende nuk e dimë se çfarë ndodhi me trupin e Khashoggit, kush e donte atë të vdekur ose nëse kishte bashkëpunëtorë lokalë, gjë që vë në dyshim besueshmërinë e procedurave ligjore në Mbretërinë e Arabisë Saudite”, shtoi ai.

Altun më tej vuri në dukje se “është një detyrim ligjor dhe i ndërgjegjshëm për të hedhur dritë mbi vrasjen Jamal Khashoggit, e cila u krye brenda kufijve të Turqisë dhe për arritjen e drejtësisë”.

“Kjo është mënyra e vetme për të siguruar që mizoritë e ngjashme mund të parandalohen në të ardhmen”.

Kanali televiziv gjysmë zyrtar Al-Arabiya raportoi se pesë persona u dënuan me 20 vjet burg, ndërsa tre të tjerë morën dënime me burg midis shtatë dhe 10 vjet.

Khashoggi, një kolumnist për “The Washington Post”, u vra nga një grup operativësh sauditë menjëherë pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit 2018.

Më herët, hetuesja e OKB-së për të drejtat e njeriut Agnes Callamard gjithashtu e quajti verdiktin e prokurorit saudit mbi vrasjen e vitit 2018 të gazetarit Jamal Khashoggi në Stamboll një “parodi të drejtësisë” e cila shpëtoi komplotistët e “nivelit të lartë”.