Turqia teston me sukses makinën e saj të parë fluturuese

Makina e parë fluturuese indigjene e Turqisë, e quajtur Cezeri, është testuar me sukses në Stamboll, transmeton Anadolu Agency (AA).❮❯

Kompania Baykar, prodhues i makinës fluturuese, njoftoi se Cezeri i projektuar dhe i prodhuar nga inxhinierë turq u ngrit në 10 metra në testet prototip të fluturimit.

“Ne do të prodhojmë prototipa më të përparuar në procesin e ardhshëm dhe do të kryejmë fluturime me njeri (në bord)”, tha Selçuk Bayraktar, shef i teknologjisë në kompani.

Bayraktar shtoi se do të nevojiten rreth 10-15 vite që Cezeri të dalë në rrugë dhe rreth 3-4 vite për t’u përdorur për qëllime rekreative, si motoçikletat me katër rrota në zonat rurale.

“Pas makinave të mençura, revolucioni në teknologjinë e automobilave do të jetë në makinat fluturuese. Pra, nga ky këndvështrim ne jemi duke u përgatitur për garat e nesërme, në vend të atyre të sotme”, theksoi Bayraktar.

Shtatorin e kaluar, Cezeri u shfaq në Teknofest, panairitin turk të teknologjisë dhe hapësirës ajrore, që u mbajt në qytetin metropolitan të Stambollit.

Makina është emëruar sipas Ismail al-Jazarit, një inxhinier dhe polimat i njohur musliman i shekullit të 12-të.

Kompania Baykar, e themeluar në vitin 1984, prodhon dronë të armatosur dhe jo të armatosur, sistemi kontrolli, simulatorë, si dhe sisteme avionike.