Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të premten në profilin e tij në Twitter theksoi se armëpushimi dhe evakuimi nga Helepi është shpresa e fundit për njerëzit në këtë qytet sirian, raporton Anadolu Agency (AA).
“Armëpushimi në Halep, i arritur me përpjekje të fuqishme të Turqisë, si dhe vazhdimi i evakuimit ndoshta janë edhe shpresa e fundit për njerëzit e pafajshëm në këtë qytet”, theksoi Erdoğan.
Në mesazhin e publikuar në disa gjuhë, presidenti turk i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë njerëzit në Halep.
“Iu bëj thirrje të gjitha palëve dhe bashkësinë ndërkombëtare që të respektojnë armëpushimin e arritur dhe të ofrojnë mbështetje për procesin e evakuimit. Turqia nuk i ka kthyer shpinën popullit të Halepit, as që do ta bëjë këtë. Me çfarëdo çmimi do të bëjmë gjithçka që të jetë në fuqinë tonë për të shpëtuar madje edhe një jetë”, theksoi Erdoğan.
Kujtojmë se me ndërmjetësim të Turqisë të martën mbrëma u arrit marrëveshje për armëpushim dhe evakuim të civilëve nga lindja e Halepit drejt Idlibit. Autokolona e parë me 200 të plagosur arriti dje në pjesën e qytetit të Haepit të cilin e kontrollojnë forcat e regjimit sirian, ndërsa me pas me autobusë kaluan në katër kilometra larg periferisë së qytetit që është nën kontroll të forcave opozitare.