Ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovës, Haki Demolli, ka takuar në Stamboll ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, Fikri Isik.
Në takimin e dy ministrave, Demollit dhe Isik, u bisedua rreth bashkëpunimit të shkëlqyer në mes të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, si dhe rolin dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi.
Sipas njoftimit, ministri Demolli falënderoi Ministrin turk të Mbrojtjes, për kontributin që ka dhënë dhe po jep në drejtim të zhvillimit, profesionalizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, avancimit të kapaciteteve të saj me përkrahje logjistike dhe të ekspertëve, si dhe mbështetjen në fushën e trajnimeve, shkollimeve dhe stërvitjeve të pjesëtarëve dhe njësive të FSK-së.
Gjithashtu, ministri Demolli theksoi se përkrahja, mbështetja dhe kontributi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Turqisë për Ministrinë e FSK-së dhe FSK-në është mjaft i rëndësishëm, dhe se ky bashkëpunim dhe kjo mbështetje, për të cilën ka gatishmëri nga pala turke, duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Fikri Isik, u shpreh se Ministria e Mbrojtjes së Republikës të Turqisë do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për FSK-në në rrugën e zhvillimit të saj, e gjithashtu do mbështesë Republikën e Kosovën për anëtarësimin në iniciativa dhe organizma ndërkombëtare të sigurisë.